Ballina Ekonomia Gati drafti për sigurimin në bujqësi, Rrapaj: Propozojmë një model me 4...

Gati drafti për sigurimin në bujqësi, Rrapaj: Propozojmë një model me 4 aktorë kryesorë

51
0

Përmbytje që shkatërrojnë të mbjellat, ngrica që dëmtojnë pemëtarinë, thatësira që ul prodhimin dhe zjarre që përfshijnë sipërfaqe të tëra bujqësore. Këto janë bërë tashmë pjesë e përvitshme e realitetit të fermerëve shqiptarë, të cilët pas çdo fatkeqësie natyrore përballen me të njëjtën dilemë: si të kompensojnë humbjet.

Prej vitesh, sektori bujqësor ka kërkuar ngritjen e një skeme të sigurimeve në bujqësi, e cila do t’u garantonte fermerëve mbështetje financiare kur prodhimi dëmtohet nga fenomenet natyrore. Tashmë duket se ky proces po hyn në një fazë të re.

Në një deklaratë për mediat, Irfan Tarelli, drejtor i Politikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bëri të ditur se grupi i punës në ministri ka përfunduar pjesën më të madhe të draftit dhe se projektligji për sigurimin në bujqësi pritet të hidhet shumë shpejt për konsultim publik.

“Shumë shpejt publiku do të njihet me draftin e parë të ligjit për sigurimet në bujqësi, i cili do të mundësojë një paketë sigurimesh që u përgjigjet nevojave dhe kërkesave të fermerëve, bazuar në problematikat e evidentuara vitet e fundit, ku fenomene të caktuara natyrore krijojnë dëme, ndonjëherë edhe të konsiderueshme, për fermerët e të gjitha kategorive”, është shprehur Tarelli.

Modeli turk, me subvencionim nga shteti

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, skema e re do të mbështetet në modelin turk të sigurimeve bujqësore, ku shteti merr përsipër një pjesë të konsiderueshme të primit të sigurimit.

“Ky ligj do të bëjë të mundur futjen e një skeme të re sigurimi në bujqësi, ku një pjesë e konsiderueshme e primit të sigurimit do të mbulohet nga shteti”, ka deklaruar Tarelli.

Sipas informacioneve paraprake, niveli i mbështetjes shtetërore mund të arrijë deri në 70% të primit, ndërsa skemat e sigurimit do të ndryshojnë sipas kulturave bujqësore dhe llojit të aktivitetit.

Nëse kjo përqindje konfirmohet edhe në draftin përfundimtar, barra financiare për fermerët do të jetë ndjeshëm më e ulët, duke e bërë sigurimin më të aksesueshëm.

Një kërkesë që sektori e përsërit prej vitesh

Për përfaqësuesit e biznesit agro-ushqimor, lajmi për hartimin e ligjit është pozitiv, por vjen pas një pritjeje të gjatë.

Presidenti i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), Agim Rrapaj, i tha ekofin.al se një ligj për sigurimin në bujqësi ka qenë ndër kërkesat më të hershme dhe më këmbëngulëse të sektorit.

“Ligji për sigurimet në fushën e ekonomisë së ushqimit ka qenë për vite me radhë një kërkesë këmbëngulëse e subjekteve që operojnë në këtë fushë. Përkeqësimi i kushteve klimatike, përmbytjet, ngricat, thatësira, zjarret, sëmundjet dhe dëmtuesit janë bërë gjithnjë e më të shpeshtë dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi, blegtori, peshkim, akuakulturë, agroindustri, agroturizëm, bletari, bimë mjekësore e aromatike dhe sektorë të tjerë të ekonomisë së ushqimit”, shprehet Rrapaj.

Sipas tij, ndryshimet klimatike nuk janë më një rrezik i rastësishëm, por një faktor i përhershëm që po rrit pasigurinë e investimeve në bujqësi.

Premtime të përsëritura, por ende pa një ligj

Megjithëse nevoja për një skemë sigurimesh është diskutuar prej vitesh, sektori thotë se procesi është zvarritur.

“Ka kaluar një kohë e gjatë që institucionet përgjegjëse kanë premtuar hartimin e një ligji për sigurimet në fushën e ekonomisë së ushqimit, por ky premtim ende nuk është konkretizuar”, thekson Rrapaj.

Pikërisht kjo është arsyeja pse përfaqësuesit e sektorit presin që konsultimi publik të pasohet shpejt nga miratimi i ligjit dhe ngritja e skemës.

KASH propozon një model me katër aktorë

Ndërsa Ministria e Bujqësisë po orienton skemën drejt modelit turk, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar propozon një formulë më të gjerë financimi.

Sipas Agim Rrapajt, barra e primit nuk duhet të mbështetet vetëm te fermeri dhe shteti.

“Propozimi ynë ka qenë që primi i sigurimit të përballohet në mënyrë solidare nga katër aktorë: subjektet e ekonomisë së ushqimit, buxheti i shtetit, shoqëritë e sigurimit dhe institucionet financiare ndërkombëtare, si BERZH, Banka Botërore, Banka Europiane e Investimeve apo Banka Shqiptare për Zhvillim.”

Sipas tij, një formulë e tillë do ta bënte skemën më të qëndrueshme financiarisht dhe do të rriste besimin e fermerëve për t’u bërë pjesë e saj.

Më shumë se kompensim dëmesh

Ekspertët e sektorit theksojnë se përfitimet e një ligji të tillë nuk kufizohen vetëm te kompensimi i humbjeve pas fatkeqësive natyrore.

Rrapaj argumenton se sigurimet krijojnë një efekt shumë më të gjerë ekonomik.

“Ligji do të ndikojë në shtimin e masave parandaluese ndaj fenomeneve negative, rritjen e investimeve, formalizimin e marrëdhënieve kontraktore, shmangien e falimenteve dhe konsolidimin financiar të subjekteve të siguruara.”

Njëkohësisht, ai vëren se një pjesë e kontratave të sigurimit mund të risigurohen në kompani ndërkombëtare, duke bërë që një pjesë e barrës financiare të përballohet nga tregjet globale të sigurimeve dhe jo vetëm nga ekonomia shqiptare.

Një hap i rëndësishëm për një sektor me rrezik të lartë

Bujqësia mbetet një nga sektorët më të ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike, ndërsa Shqipëria është përballur vitet e fundit me përmbytje, thatësira, ngrica dhe temperatura ekstreme që kanë shkaktuar humbje të konsiderueshme në prodhim.

Në këtë kontekst, miratimi i një ligji funksional për sigurimet në bujqësi shihet si një instrument i rëndësishëm jo vetëm për mbrojtjen e fermerëve, por edhe për rritjen e qëndrueshmërisë së të gjithë ekonomisë agro-ushqimore.

Megjithatë, sfida nuk do të jetë vetëm miratimi i ligjit. Po aq e rëndësishme do të jetë mënyra se si do të ndërtohet skema, niveli i subvencionimit, përfshirja e kompanive të sigurimit dhe besimi që fermerët do të kenë tek ajo. Vetëm atëherë një mekanizëm i tillë mund të shndërrohet nga një premtim i kahershëm në një mburojë reale për bujqësinë shqiptare. /ekofin.al