Klubi i Teutës ka zyrtarizuar afrimin e bujshëm të portierit francez Paul Bernardoni në Kategorinë Superiore.
29-vjeçari, i cili sapo kishte dalë lojtar i lirë në fillim të muajit korrik, vjen në Shqipëri me një vlerësim prej 1.2 milionë eurosh në tregun e transferimeve, duke u shndërruar në lojtarin më të shtrenjtë të kampionatit.
Bernardoni ka një karrierë të pasur në nivelet më të larta të futbollit francez, ku ka mbrojtur portën e skuadrave të njohura si Bordeaux, Saint-Etienne, Angers, Nimes, Clermont Foot dhe Troyes. Përveç përvojës në Ligue 1, ai ka luajtur edhe jashtë vendit të tij me Konyaspor në Turqi dhe Yverdon Sport në Zvicër.
Portieri gjithashtu ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Francës, duke përfaqësuar vendin e tij edhe në Lojërat Olimpike të Tokios. Drejtuesit durrsakë e konsiderojnë këtë një goditje të rëndësishme për të garantuar siguri maksimale në repartin e prapavijës.
Postimi i plotë
Bienvenue, Paul Bernardoni!
KF Teuta ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me portierin francez Paul Bernardoni.
Me një karrierë të ndërtuar në nivelet më të larta të futbollit francez, Bernardoni sjell në Durrës një eksperiencë të rëndësishme nga Ligue 1, Ligue 2 dhe arenat ndërkombëtare.
Gjatë karrierës së tij, portieri francez ka mbrojtur portën e klubeve si Troyes, Bordeaux, Clermont Foot, Nîmes, Angers dhe Saint-Étienne, ndërsa ka pasur gjithashtu eksperienca jashtë Francës me Konyaspor në Turqi dhe Yverdon Sport në Zvicër.
Ish-portier i kombëtareve të moshave të Francës dhe pjesë e skuadrës franceze në Lojërat Olimpike Tokio 2020, Bernardoni i bashkohet klubit tonë për të sjellë cilësi, eksperiencë dhe siguri në repartin e portës.
Mirë se erdhe në Durrës, Paul!







