Edi Rama viziton Brukselin për të marrë pjesë në konferencën ndërqeveritare që sinjalizon mbylljen e tre kapitujve.
Edhe pse Rama dhe mediat e tij po e paraqesin këtë vizitë si një arritje, gazetari Augustin Palokaj, që raporton nga Brukseli prej shumë vitesh, shkruan në gazetën Koha se këto kapituj zakonisht mbyllen pa u negociuar. Sipas tij, BE është e shqetësuar për sundimin e ligjit në Shqipëri.
Ndërkohë, gazetari shkruan se integrimi i vendit nuk duket ende në horizonte dhe se rruga e Shqipërisë mbetet e gjatë.
“Në BE vendet anëtare, që të gjitha, janë pajtuar që Shqipëria t’i mbyllë kapitujt për shkenca dhe hulumtimet, arsimi dhe kultura, dhe atë për punë të jashtme. Dy kapitujt e parë nuk negociohen fare dhe ato më parë janë hapur dhe mbyllur përnjëherë. Madje, ata dy kapituj i ka mbyllur edhe Serbia, e cila akoma nuk i ka hapur të gjithë kapitujt. Nga hyrja në fuqi e metodologjisë së re në procesin e zgjerimit të BE-së asnjë kapitull nuk ka mundur të mbyllet pa u miratuar një raport i ndërmjetëm për përmbushjen e kritereve kalimtare në fushën e rendit dhe ligjit, raport i njohur me shkurtesën IBAR.
Një raport i tillë për Shqipërinë është miratuar me disa muaj vonesë, pasi ka pasur rezerva nga ana e disa shteteve anëtare, por ky miratim së paku ka hapur rrugën që Shqipëria tash të hyjë në fazën e mbylljes së kapitujve, pasi vitin e kaluar kishte bërë një progres të jashtëzakonshëm duke i hapur të gjithë kapitujt. Por, diplomatë nga vendet anëtare edhe në ditën kur ranë dakord për mbylljen e tre kapitujve, kanë përsëritur se “Shqipëria ka disa çështje rreth sundimit të ligjit” dhe se presin që Tirana të sigurojë punën e pavarur dhe të papenguar të gjyqësorit, sidomos të SPAK-ut,” shkruan gazetari.
“Me përjashtim të Malit të Zi, nuk duket në horizont anëtarësimi i shpejtë i ndonjë vendi tjetër të rajonit në BE. Shqipëria do ta shënojë një hap tjetër të madh, me nisjen e mbylljes së kapitujve, por akoma e ka shumë të gjatë rrugën deri tek anëtarësimi eventual. Kosova, çfarëdo të thonë rreth “perspektivës evropiane”, e ka të mbyllur rrugën dhe nuk ka shenja se bllokimi në Këshillin e BE-së nga vendet që nuk e kanë njohur, do të hiqet. Asnjëherë në procesin e zgjerimit të BE-së nuk ka pasur situatë ku kandidatët të jenë në pozicione kaq të ndryshme në rrugëtimin e tyre. Prandaj, edhe pohimet për data të anëtarësimit duhen marrë me shumë rezerva,” shkruan ai.







