Deputeti Gjin Gjoni i ka drejtuar kreut të SPAK, Klodian Brahos, i cili po raporton në Komisionin Parlamentar “Nisma Qytetare”, një pyetje lidhur me mundësinë e nisjes së hetimeve ndaj kryeministrit Edi Rama apo thirrjen e tij si person në dijeni për çështjen “Albanian Files” dhe çështje të tjera.
“Shqipëria është në vendin e 91 për korrupsionin. Mosthirrja e kryeministrit, qoftë edhe si person në dijeni, për inceneratorët, Albanian Files, krimin e organizuar, a vë në pikëpyetje paanshmërinë tuaj?
A është nisur një hetim ndaj Ramës në lidhje me Albanian Files, meqë zotëria në fjalë e trumbeton si arritje të madhe? A keni hetuar se kush janë personat që kanë porositur këto kulla dhe lidhjen e tyre me kryeministrin e Shqipërisë? Si janë bërë pagesat e kostove të projekteve që sot nuk janë miratuar ende nga shteti shqiptar, megjithëse është përgatitur një dosje me mbi 500 faqe?”, pyeti Gjoni.
Ndërkohë, kreu i SPAK, Klodian Braho, u përgjigj se nuk do të komentojë çështje konkrete, ndërsa theksoi se çdo person mund të hetohet nëse ekzistojnë prova dhe nevoja hetimore.
“Nuk kam asnjë koment. Nëse dikush ka prova, është i ftuar t’i depozitojë dhe të marrë përgjigje ligjore sipas ligjit. Asnjë person nuk është imun ndaj SPAK. Këtë e them me bindje. Kushti është nevoja hetimore dhe prova për kryerjen e një vepre penale”, deklaroi Braho.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme foli gjithashtu në lidhje me pastrimin e parave të ardhur nga krimi, për të cilën tha se është cilësuar një veprimtari me rrisk të lartë.
Sa i përket pronave të sekuestruara dhe faktin që sipas Gjonit ata përfitohen sërish nga personat të cilëve u janë sekuestruar përmes blerjeve fiktive nga persona të tretë, Braho u shpreh: Roli i SPAK është deri në nxjerrjen e urdhrit të sekuestrimit, nuk kemi kompetencë të jemi palë në çështje që lidhen me ekzekutimin. Procedura vijon në gjykatë. Nuk kam dijeni për rast konkrete për persona të cilët e kanë përfituar pasurinë në mënyrë të tërthortë, nëse do të ketë raste do të kryhen hetimet e duhura për të gjithë personat dhe zyrtarët që kanë lejuar një gjë të tillë.







