Garda Civile spanjolle e identifikon të arrestuarin si pjesëtar të mafies shqiptare dhe rrëzon alibinë: të shtënat ishin një larje hesapesh për një grabitje droge.
Garda Civile spanjolle ka lokalizuar dhe arrestuar në Shqipëri autorin e dyshuar të të shtënave më 21 qershor 2024 në Ibiza, njoftoi këtë të enjte Drejtoria e Përgjithshme e forcës në një komunikatë për shtyp.
I arrestuari, të cilit i atribuohet vepra penale e tentativës për vrasje, dyshohet se ka qëlluar disa herë ndaj një personi, i cili mbeti i plagosur rëndë, në kuadër të një larjeje hesapesh mes trafikantëve të drogës.
Një i plagosur i braktisur në spitalin Can Misses
Hetimi nisi pasi një person u la në hyrje të Spitalit Can Misses nga një automjet që u largua me shpejtësi nga qendra spitalore.
Personi kishte plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Viktima ishte goditur nga dy plumba dhe, për shkak të plagëve të rënda, u transportua urgjentisht nga Ibiza në Spitalin Universitar Son Espases, në Majorka, për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.
Një alibi që nuk qëndroi
Veprimet e para hetimore bënë të mundur identifikimin e drejtuesit të automjetit që kishte lënë të plagosurin në spital.
Fillimisht, ai deklaroi se të dy kishin shkuar në një zonë të Sant Josep-it me synimin për të hyrë në një banesë për të vjedhur, dhe se aty ishin befasuar nga një person i armatosur, i cili kishte hapur zjarr ndaj tyre.
Megjithatë, përparimi i hetimeve e rrëzoi këtë version.
Një larje hesapesh për drogën
Sipas Gardës Civile, hetuesit arritën në përfundimin se qëllimi i vetëm i të plagosurit dhe shoqëruesit të tij ishte të kryenin një “vuelco de droga” – pra, vjedhjen e një ngarkese droge nga trafikantë të tjerë – ndaj një organizate kriminale shqiptare të vendosur në ishull.
Autori i të shtënave ishte pikërisht një anëtar i kësaj organizate, i cili ishte përgjegjës për sigurinë e një prone luksoze të grupit, pranë vendit ku ndodhën ngjarjet.
Pas të shtënave, ai u largua nga Ibiza dhe u vendos në Shqipëri.
Operacioni “Vlad Ib”
Hetimet janë zhvilluar në kuadër të Operacionit “Vlad Ib”, të drejtuar nga Sektori i Krimeve kundër Personit i Njësisë Organike të Policisë Gjyqësore të Gardës Civile në Ishujt Baleare.
Gjurmët e të dyshuarit çuan deri në Shqipëri, ku autoritetet shqiptare bashkëpunuan me agjentët spanjollë derisa arritën ta lokalizonin.
Në pritje të ekstradimit
Më 9 qershor, Policia shqiptare njoftoi zyrtarisht arrestimin e të dyshuarit.
Aktualisht ai ndodhet në pritje të ekstradimit në Spanjë, për t’u vënë në dispozicion të autoritetit gjyqësor që kishte lëshuar Urdhrin Ndërkombëtar të Arrestimit.
Garda Civile theksoi rëndësinë e koordinimit ndërkombëtar dhe të punës së përbashkët të njësive të përfshira në këtë çështje, e cila u deshën dy vjet për t’u zbardhur dhe që e vendos edhe një herë Ibizën në qendër të vëmendjes për trafikun e drogës të lidhur me mafiet shqiptare.







