Analisti politik Blerim Burjani mohon se ekziston një marrëveshje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për ndarjen e posteve institucionale, duke i cilësuar si spekulime pretendimet që po qarkullojnë në opinion.
“Nuk ka asnjë marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së. Disa individë nga Vetëvendosje po spekulojnë se kinse është arritur një marrëveshje, sipas së cilës LDK-ja do të pranonte ta humbte postin e Presidentit në këmbim të pozitës së kryetarit të Kuvendit. Një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe kjo pozitë nuk i intereson askujt në opozitë”, deklaron Burjani.
Sipas tij, këto pretendime vetëm sa po krijojnë pakënaqësi të panevojshme brenda LDK-së.
“Ky spekulim po shkakton pakënaqësi edhe më të mëdha në LDK. Për këtë arsye do të ishte e udhës që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të prononcohej publikisht për këtë çështje, pasi për një marrëveshje të tillë nuk është dëgjuar askund, përveç disa mediave”, shprehet ai.
Burjani thotë se spekulimet janë përhapur gjatë mbrëmjes së fundit.
“Ky spekulim u bë publik mbrëmjen e sotme. Deri më tani nuk ka asnjë zhvillim konkret që tregon se ka marrëveshje mes palëve”, vlerëson ai.
Në fund, Burjani thekson se skenari më i mundshëm mbetet mbajtja e zgjedhjeve të reja.
“Ajo që dihet deri më tani është se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja. Për momentin, vetëm kjo është e qartë”, përfundon Burjani.







