Ballina Dossier ”‘Babanë nuk e kam parë as me sy’ – letra prekëse e...

”‘Babanë nuk e kam parë as me sy’ – letra prekëse e vajzës së Riza Alizotit që iu lut Partisë t’i jepte të drejtën për të punuar”

46
0

“Nuk po kuptoj përse duhet të mbahet qëndrim ndaj një personi që babanë nuk e ka parë as me sy.”

Me këtë fjali rrëqethëse nis drama e Sevime Alizotit, vajzës së inxhinierit Riza Alizoti, i pushkatuar nga regjimi komunist kur ajo ishte vetëm dy vjeç.

Në vitin 1965, pasi kishte mbaruar shkollën e mesme teknike të ndërtimit dhe kishte kaluar më shumë se dy vjet duke trokitur në dyert e ndërmarrjeve shtetërore, Sevimja vendosi t’i shkruante drejtuesve më të lartë të Partisë. Jo për privilegje. Jo për favore. Vetëm për një vend pune.

Në letrën drejtuar Haki Toskës, ajo rrëfen se nuk pati fatin të njihte asnjërin prej prindërve. Babai iu ekzekutua nga regjimi, ndërsa nëna e braktisi. E rriti halla, në shtëpinë e inxhinierit Sadi Pashallari, të cilin e konsideronte si baba.

“Jam rritur dhe jam edukuar, por shpresat e mia nuk po realizohen. Prej dy vitesh trokas nëpër zyrat e ndërmarrjeve të ndërtimit dhe kudo marr të njëjtën përgjigje: ‘Nuk kemi vend’,” shkruan ajo.

Por Sevimja nuk besonte se problemi ishte mungesa e vendeve të lira.

“Për mua mbetet e pakuptueshme pse të gjitha dyert për punë duhet të mbyllen për mua, apo pse jam vajza e një të dënuari.”

Në letër ajo përpiqet të bindë drejtuesit komunistë se nuk mund të gjykohej për një njeri që nuk e kishte njohur kurrë.

“Unë nuk po kuptoj përse duhet të mbahet qëndrim karshi një personi që babanë nuk e ka parë as me sy.”

Madje, për të dëshmuar “besnikërinë” ndaj sistemit, ajo thekson se është anëtare e Bashkimeve Profesionale, e martuar me një punëtor dhe se dëshira e saj është të kontribuojë në ndërtimin e socializmit.

Letrës iu dha përgjigje. Në një shkresë zyrtare të Komitetit të Partisë së Tiranës, firmosur nga Nikolla Profi dhe dërguar Komitetit Qendror, thuhet se Sevime Alizoti ishte sistemuar në punë si skicografe në Institutin e Botimeve dhe Studimeve Shkollore.

Tre fletë të zverdhura nga koha tregojnë më shumë sesa historinë e një punësimi. Ato dëshmojnë dramën e fëmijëve të të dënuarve politikë, të cilët përpiqeshin t’i bindnin regjimit se nuk kishin trashëguar “fajin” e prindërve të tyre, por vetëm mbiemrin./vna