Një gol i shënuar nga Farruku në minutat shtesë të ndeshjes i ka dhënë Dinamos fitoren 1-0 përballë Skënderbeut në “Elbasan Arena”, në një sfidë shumë të luftuar e me raste, por që u mbyll mes polemikash dhe kartonëve të kuq.
Skënderbeu, me afrimet e reja në përbërje pasi zhbllokoi merkaton, u tregua kërcënues për ekipin e Dajës, duke krijuar lojë e raste, ndërsa edhe blutë nuk reshtën sulmet.
Ata gjetën dy herë rrjetën por panë në të dy rastet t’u mohohej goli nga VAR-i, ndërsa tronditën edhe traversën me Malomon, Ndërkohë, u deshën disa pritje të Teqjes për të ndalur sulmuesit e korçarëve nga ana tjetër e fushës.
Në fund, Dinamo mbeti me 10 lojtarë pas të kuqit të Qardakut, por pikërisht atëherë gjeti momentin e duhur me Farrukun për të shënuar golin e fitores.
Një situatë aspak e këndshme u regjistrua në fundin e sfidës mes Dinamos dhe Skënderbeut, ku protagonist u bë trajneri Ilir Daja, i cili u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për protesta nga gjyqtari Erjon Bastari.
Ky vendim nuk është pritur aspak mirë nga trajneri dinamovit, që doli nga vetja duke iu vërsulur në fushë arbitrit. U desh edhe ndërhyrja e forcave të sigurisë që situata mos agravonte.







