Në shkurt të vitit 2018 autoritetet letoneze arrestuan guvernatorin jetëgjatë të Bankës Qëndrore të Letonisë, Ilmārs Rimšēvičs, me akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Lajmi shpërtheu një cunami në botën financiare, pasi kreu i Bankës së Letonisë ishte njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Qeverisës të Bankës Qëndrore Europiane, zyrtarët e së cilës gëzojnë mbrojtje të veçantë nga Protokolli i Privilegjeve dhe Imunitetit të Bashkimit Europian.
Për të kapërcyer këtë nyje juridike, Gjykata e Rigës iu drejtua Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut të interpretonte nëse Rimšēvičs nëse arrestimi i guvernatorit ishte i ligjshëm apo pengohej nga protokolli europian.
Vendimi i Gjykatës së Strasburgut erdhi tre vjet më vonë. Në nëntor të 2021, GJENJD tha se anëtarët e Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Europiane nuk gëzojnë imunitet penal për shkelje të mundshme të kryera jashtë detyrave funksionale dhe kapacitetit të tyre si bankierë qendror.
Sipas Strasburgut, aktet e mashtrimit, korrupsionit ose pastrimit të parave nuk bien nën kapacitetin apo funksionin zyrtar të një bankieri qëndror dhe si të tilla nuk mund të gëzojnë imunitet. Dy vjet më vonë Rimšēvičs u dënua me 6 vite burg nga gjykata e Rigës.
Pavarësia e Bankave Qendrore është një çështje e nxehtë dhe gjithmonë aktuale, edhe në vendet më demokratike të planetit, mjafton të shihen përplasjet e viteve të fundit në Shtetet e Bashkuara apo dhe Britaninë e Madhe. Në Shqipëri, ky debat është rikthyer sërish nga një projektligj i ri për Bankën e Shqipërisë, që është propozuar nga Ministria e Financave.
Në nenin 72 ligji vendos një dispozitë të veçantë imuniteti për drejtuesit e Bankës Qendrore. “Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestohen ose të privohen nga liria në ndonjë formë, as t’i nënshtrohen kontrollit personal apo të banesës, pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese, përveç rasteve kur kapen në flagrancë ose ndërsa janë në ndjekje menjëherë pas kryerjes së një krimi,” thotë neni.
Përtej themelit, kjo është një dispozitë që paraqet një sërë anomalish juridike. Së pari, imuniteti i zyrtarëve të lartë në Shqipëri jepet nga Kushtetuta. Në këto kushte veshja me imunitet e drejtuesve të Autoritetit Qendror Monetar përmes ligjit për Bankën e Shqipërisë stonon. Pra edhe nëse ligjvënësi, apo më gjerë shoqëria shqiptare gjykojnë se drejtuesit e Bankës së Shqipërisë duhet të kenë imunitet nga ndjekja penale, kjo duhet sanksionuar në Kushtetutë dhe jo me ligjin organik.
Anomalia e dytë lidhet me përfituesit. Guvernatori është emërtesë e Parlamentit dhe si i tillë Kuvendi ka tagrin t’i japë imunitet. Por zëvendësguvernatorët janë zyrtarë që zgjidhen nga vetë Bordi i Bankës së Shqipërisë. Me pak fjalë, kur Këshilli Mbikqyrës i BSH të votojë për zgjedhjen e zëvendësguvernatorëve, praktikisht është duke votuar se kujt do t’i japë imunitet brenda vetes.
Së treti, ndryshimet ligjore vijnë në një kontekst të ngarkuar në rrafshin e hetimeve ndaj funksionarëve të lartë publik. Këto rrethana mund t’u hapin rrugë aludimeve se drejtuesit e Bankës Qendrore janë të trembur dhe po kërkojnë imunitet nga ndjekja e mundshme penale që mund të ushtrojë SPAK ndaj tyre.
Shqipëria u përball me një situatë të ngjashme në shkurt të këtij viti, kur pasi GJKKO pezulloi nga detyra ish zv/kryeministren Belluku, kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndërhyje në Kodin e Proçedurës Penale për të mos lejuar pezullimin e anëtarëve të qeverisë.
Pikërisht ky kombinim rrethanash, jo vetëm që nuk e forcon pavarësinë e Bankës Qendrore, por jep efektin e kundërt duke e dobësuar imazhin e autoritetit qëndror monetar në publik.
Shqipëria ka nevojë të ketë një bankë qëndrore të pavarur. Administratorët e saj dhe anëtarët e Këshillit Mbikqyrës duhet të kenë mbrojtje të plotë nga shkarkimet apo ndjekjet penale që lidhen me ushtrimin e detyrave të tyre ligjore. Kjo është pavarësia. Ndërsa imunitetet pa kufi dhe pa karar, jo vetëm që nuk e forcojnë Bankën e Shqipërisë, por e bëjnë atë më të dobët./kapitali







