Ballina Lifestyle Drama vazhdon: Vajza e Michael Jackson kërkon transparencë mbi pasurinë e të...

Drama vazhdon: Vajza e Michael Jackson kërkon transparencë mbi pasurinë e të atit

115
0

Paris Jackson dhe administratori i pasurisë së të atit të saj, Michael Jackson, janë rikthyer sërish në gjykatë, këtë herë për një mosmarrëveshje mbi dokumentet që duhet ose jo të mbeten konfidenciale. Vajza e legjendës së muzikës kundërshton kërkesën e John Branca-s për të mbajtur konfidenciale dokumentet që lidhen me mosmarrëveshjen e tyre mbi pagesat e honorareve të tij.

Branca argumenton se publikimi i këtyre dokumenteve mund të dëmtojë marrëveshje të ardhshme biznesi ose t’u japë avantazh palëve kundërshtare. Nga ana tjetër, Paris pretendon se pasuria e Michael Jackson vazhdon të mbetet “sekrete” edhe pas kaq shumë vitesh për shkak të mënyrës se si është administruar dhe se ajo ende nuk ka një panoramë të qartë mbi financat që ka trashëguar.

Në dokumentet e paraqitura në gjykatë, Paris shprehet se ka arritur më herët të bindë një gjyqtar të ndalojë pagesat e ardhshme të bonuseve për firma të jashtme ligjore. Ajo pretendon gjithashtu se kërkesa e Branca-a për të mbajtur sekret dokumentacionin duket më shumë si një përpjekje për të mbrojtur reputacionin e tij sesa interesat e pasurisë së Michael Jackson.

Ndërkohë, Branca kundërshtoi akuzat, duke thënë se pretendimet e Paris janë të mbushura me “retorikë urrejtjeje” dhe nuk kanë lidhje me çështjen që po shqyrtohet. Ai shtoi se ajo injoron realitetin e administrimit të pasurisë, ndërsa pala tjetër ka argumentuar më parë se Paris dhe dy vëllezërit e saj kanë përfituar miliona dollarë që prej vdekjes së babait të tyre.

Sipas Paris, John Branca dhe administratori, i ndjeri John McClain, kanë marrë mbi 120 milionë dollarë për punën e tyre me pasurinë e Michael Jackson, shumë që, sipas saj, është dukshëm më e lartë krahasuar me atë që kanë përfituar ajo dhe vëllezërit e saj. Për këtë arsye, Paris i ka kërkuar gjykatës të rrëzojë kërkesën e Branca-s për të mbajtur të fshehta dokumentet ligjore.