Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbajti një fjalim të jashtëzakonshëm drejtuar popullit amerikan në orët e para të së premtes, ku u rikthye te zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe ngriti akuza për cenueshmërinë e sistemit zgjedhor amerikan.
Trump deklaroi se dokumente të deklasifikuara të agjencive të sigurisë tregojnë se sistemi zgjedhor i SHBA-së ishte i ekspozuar ndaj hakerimit, ndërhyrjeve të huaja dhe shfrytëzimit nga shtete rivale. Sipas tij, informacioni mbi këto rreziqe është mbajtur i fshehtë për vite me radhë.
“Këto prova tregojnë se sistemi zgjedhor që kemi është i ekspozuar në mënyrë të rrezikshme ndaj hakerimit, shfrytëzimit dhe ndërhyrjes së huaj”, deklaroi Trump, duke shtuar se publiku amerikan nuk ishte informuar për këto kërcënime.
Presidenti amerikan pretendoi se shtete si Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut kanë aftësinë të komprometojnë infrastrukturën zgjedhore të SHBA-së. Ai akuzoi veçanërisht Kinën se gjatë zgjedhjeve të vitit 2020 ka siguruar në mënyrë të paligjshme të dhëna të votuesve amerikanë, përfshirë emra, adresa, numra telefoni dhe preferenca politike.
Sipas Trump, këto të dhëna mund të përdoren për aktivitete të paligjshme që lidhen me procesin zgjedhor. Ai pretendoi gjithashtu se Pekini kishte tentuar të financonte publikimin e materialeve negative kundër tij me synimin për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Në fjalimin e tij, Trump kritikoi edhe votimin me postë, duke e cilësuar atë si një element që dobëson sigurinë e procesit zgjedhor. Ai akuzoi gjithashtu FBI-në se ka mbuluar një skemë të dyshuar mashtrimi me regjistrimin e votuesve në shtetin e Michigan gjatë zgjedhjeve të vitit 2020.
Sipas tij, mijëra persona janë përpjekur të regjistrohen me të dhëna të rreme për të votuar më shumë se një herë, ndërsa autoritetet federale nuk kanë ndërmarrë hetime apo ndjekje penale.
Trump u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë të miratojnë sa më shpejt Aktin SAVE America, një projektligj që parashikon rregulla më të rrepta për regjistrimin e votuesve dhe procesin e votimit.
“Ju kërkoj të telefononi përfaqësuesit tuaj në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat dhe të kërkoni miratimin e Aktit SAVE America pa vonesë”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Ambasada e Kinës në Uashington hodhi poshtë akuzat e presidentit amerikan. Në një deklaratë të publikuar përpara fjalimit të Trump, ambasada theksoi se Pekini nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së.
“Kina i përmbahet gjithmonë parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera. Zgjedhjet në SHBA janë një çështje e brendshme e Shteteve të Bashkuara dhe rezultati i tyre përcaktohet nga votat e popullit amerikan”, thuhet në deklaratën e ambasadës kineze.







