Nga Ermal Peçi
Ka një paradoks të çuditshëm në mënyrën se si Edi Rama dhe qeveria e tij e konceptojnë diplomacinë, por edhe në mënyrën se si veprojnë politikisht.
Prej kohësh dihet se Edi Rama ka pasur një raport të mirë me Aleksandar Vuçiçin. Kjo u shfaq edhe përmes projektit “Open Balkan”, i cili u promovua si një nismë për bashkëpunimin rajonal, por që më pas rezultoi një dështim politik.
E bëra këtë kronologji për të analizuar standardet e dyfishta të kësaj qeverie. Me serbët dalin të buzëqeshur, ndërsa me VLEN-in dhe Izet Mexhitin nuk ndalen së sulmuari ata që janë vëllezërit tanë të gjakut, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Qeveria e Tiranës ishte e vetmja që u mundua ta miklonte deklaratën skandaloze, fyese dhe poshtëruese të ministres së Vuçiçit, Snezana Paunovic, e cila deklaroi se, nëse do të kishte pasur të njëjtën liri veprimi si “kasapi i Ballkanit”, Slobodan Millosheviçi, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.
Kjo nuk ishte një deklaratë e zakonshme. Nuk ishte një lapsus dhe as një opinion i parëndësishëm. Ishte një deklaratë që relativizon një nga periudhat më të errëta të historisë së Kosovës dhe të shqiptarëve.
Pati reagim nga qeveria e Kurtit në Kosovë. Pati reagim edhe nga Izet Mexhiti dhe VLEN-i. Por vetëm Edi Rama dhe qeveria jonë zgjodhën ta kalonin këtë deklaratë si diçka sporadike, sikur të mos përfaqësonte një frymë politike që ende ekziston në Beograd dhe që shpeshherë shfaqet përmes deklaratave të zyrtarëve të tij.
Pikërisht këtu shfaqen standardet e dyfishta. Kjo u pa edhe ditën e sotme, kur ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, pavarësisht se në tekstin e tij e kishte prekur deklaratën e ministres serbe, zgjodhi të publikonte një fotografi të buzëqeshur me homologun serb Marko Gjuriç, një nga përfaqësuesit e politikës zyrtare të Beogradit që nuk njeh pavarësinë e Kosovës dhe kundërshton njohjen e saj ndërkombëtare.
Sigurisht, diplomacia kërkon dialog. Shqipëria mund të ketë marrëdhënie diplomatike me Serbinë dhe zyrtarët shqiptarë mund të takohen me zyrtarët serbë. Kjo është pjesë e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Por diplomacia nuk është vetëm një fotografi. Është edhe mesazhi që përcillet përmes saj dhe mesazhi që përcillet është i qartë: me ministrat e Vuçiçit mund të buzëqeshim edhe kur nga Beogradi vijnë deklarata që prekin Kosovën dhe shqiptarët. Ndërsa me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut mund të sillemi sikur janë kundërshtarët tanë më të mëdhenj.
Izet Mexhiti dhe VLEN-i mund të kritikohen. Mund të gjykohen për politikat dhe vendimet e tyre. Por nuk mund të harrohet se ata janë pjesë e faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe ky tashmë është një realitet politik që, edhe pse Ramës nuk i pëlqen, do të duhet ta pranojë.
Ata janë shqiptarë. Janë pjesë e së njëjtës histori. Flasin të njëjtën gjuhë dhe i përkasin të njëjtës hapësirë kombëtare.
Prandaj pyetja nuk është më vetëm se çfarë mendon Edi Rama për Izet Mexhitin apo VLEN-in.
Pyetja është: pse Tirana është kaq e butë me Beogradin dhe kaq agresive me shqiptarët?
Mund të bësh diplomaci me Serbinë, por nuk mund të heshtësh kur preket Kosova. Mund të takosh zyrtarët serbë, por nuk mund të harrosh se çfarë përfaqëson historia e tyre politike. Mbi të gjitha, mund të kesh interesa politike, por nuk mund të harrosh interesin kombëtar.
Se koha ka treguar se mund të ndryshojnë qeveritë, pushtetet dhe aleancat politike, por nuk ndryshon historia. Kosova nuk është një temë për t’u harruar për hir të diplomacisë dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë kundërshtarë për t’u sulmuar për hir të politikës. Në fund, historia nuk do të mbajë mend vetëm kush buzëqeshi me Beogradin, por edhe kush heshti kur duhej të fliste për shqiptarët.







