Nga Thoma Gellçi
Ka kaluar një vit e gjysmë nga beteja e madhe mes “Bufit të Kënetës” dhe “Narkoshtetit”. Ishte një fushatë e fortë, e zhurmshme.
Partia Socialiste nuk kërkoi votën duke treguar si do ta zhvillonte vendin. Tregoi Bufin e Kënetës. Partia Demokratike nuk shpjegoi si do të qeveriste më mirë. Tregoi Narkoshtetin.
Kaq ishin programet e të dy partive.
Njëri thoshte: “Mund të mos jemi të mirë, por shikoni Berishën.” Tjetri përgjigjej: “Mund të mos jemi alternativë, por shikoni Ramën.”
Qytetarit nuk iu kërkua të zgjidhte më të mirin. Iu kërkua të përcaktonte se cili ishte më i keq. Zgjedhjet u kthyen në një konkurs dëmesh, ku secila palë kërkonte votën duke paraqitur faturën e dëmeve që shkaktonte kundërshtari.
Edi Rama thoshte: “Nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka.” Një sofizëm, por që, në vetvete, pranonte se kishte korrupsion, arrogancë, koncesione që gllabëronin paratë e shqiptarëve dhe administratë partiake. Por kishin një armë të fortë: përballë ishte Bufi i Kënetës.
Demokratët e pranonin rolin e Bufit të Kënetës, duke thënë se Bufi hante zhapikët dhe gjarpërinjtë. Ata pranonin se kishin të njëjtin kryetar, të njëjtat humbje dhe pothuajse të njëjtën mungesë reformimi. Por kishin edhe ata përgjigjen e tyre: përballë ishte Narkoshteti.
Pas betejës, ku u sanksionua një fitore e “Narkoshtetit” mbi “Bufin e Kënetës”, gjithçka u kthye në gjendjen normale shqiptare: as luftë, as paqe.
Rama vazhdoi të qeveriste. Berisha vazhdoi të drejtonte opozitën. Njëri paralajmëronte çdo mëngjes rikthimin e Bufit. Tjetri premtonte çdo mbrëmje se ishte në kilometrin e fundit të rrëzimit të Narkoshtetit. Askush nuk u largua. Askush nuk ndryshoi. Vetëm shqiptarët vazhduan të largoheshin.
Rama ka nevojë për Berishën. Pa të, do të duhej të fliste për rezultatet e qeverisjes së vet. Është shumë më e lehtë t’i trembësh shqiptarët me Bufin.
Berisha ka nevojë për Ramën. Pa të, do të duhej të shpjegonte pse, pas kaq vitesh dhe humbjesh, vazhdon të jetë alternativa e vetme e Partisë Demokratike. Mjafton të thuash që po e mund Narkoshteti.
Prandaj ata luftojnë me njëri-tjetrin dhe bashkëjetojnë pa bërë paqe. Secili e shpall tjetrin rrezik kombëtar, por secili e ka tjetrin kusht për mbijetesën e vet politike.
Kësaj formule, që funksionoi për vite me radhë, tani i ka dalë një problem që nuk ishte parashikuar në marrëveshjen fillestare: protesta.
Për rreth 50 ditë, dhjetëra mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Tiranës. Ata nuk kërkojnë që Narkoshteti t’ia dorëzojë pushtetin Bufit të Kënetës. Nuk kërkojnë as që Bufi të shpëtojë Shqipërinë nga Narkoshteti.
Ata u kërkojnë të dyve të largohen.
Protesta nuk pranon më zgjedhjen mes dy të këqijave. Ajo kundërshton sistemin që e ka mbajtur vendin të mbyllur mes dy kryetarëve, dy partive dhe të njëjtit arsyetim: voto për ne, sepse ata të tjerët janë më keq.
Çfarë s’bëhet kundër protestës! Disa e quajnë “korba dhe sorra”, disa thonë se nuk ka kokë, disa kërkojnë që të bëhet parti politike, disa kërkojnë të gjejnë agjentët e rusit, të serbit, të grekut, të Iranit, të Albinit, të shejtanit. Por protesta vazhdon, me të njëjtat kërkesa dhe me të njëjtin intensitet. Ndryshon numri, herë më shumë e herë më pak, por nuk ndryshojnë kërkesat, këmbëngulja dhe intensiteti.
Protesta nuk është parti politike dhe nuk synon të marrë pushtetin. Nuk ka dalë të paraqesë ministra, deputetë apo program qeverisës. Misioni i saj është ndryshimi i sistemit që prodhon gjithmonë të njëjtën zgjedhje dhe të njëjtët fitues.
Protesta kërkon një sistem ku qytetari të zgjedhë alternativën më të mirë, jo të llogarisë se cili është më pak i keq. Një sistem ku kandidatët të zgjidhen për aftësitë e tyre dhe jo për afërsinë me kryetarin, ku partitë të kenë konkurrencë të brendshme dhe kryetarët të mos jenë të përjetshëm.
Kjo është arsyeja pse gjendja “as luftë, as paqe” po prishet.
Për herë të parë, Bufi i Kënetës dhe Narkoshteti nuk po përballen me njëri-tjetrin. Përballë tyre janë qytetarët që nuk tremben më as nga Bufi, as nga Narkoshteti.
Dhe kjo është beteja që të dy do të donin të mos fillonte kurrë.







