Ka nisur organizimi në sheshin “Skënderbej”. Qytetarët protestojnë prej 49 ditësh dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Kërkesa kryesore e kësaj lëvizjeje, e cila ka mbushur sheshin “Skënderbej” dhe Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” prej javësh, mbetet e pandryshuar: dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i plotë i asaj që ata e konsiderojnë si “kasta politike” që ka mbajtur peng vendin për më shumë se tre dekada.
Në ditën e 49-të të protestës në sheshin “Skënderbej”, një i moshuar u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit.
“Hajdeni shqiptarë, mblidhuni këtu. Ejani në protestë. Si tha ajo ministrja serbe, foli për spastrim të shqiptarëve. Ndaj hajdeni shqiptarë, mblidhuni këtu, o sot o kurrë!”, u shpreh ai.
Deklarata e tij vjen gjatë protestës së zhvilluar në kryeqytet, ku pjesëmarrësit kanë vijuar kundërshtimet e tyre ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe institucionale.







