Ballina Lifestyle Ish-shoku i Will Smith i kërkon atij të dëshmojë në padinë kundër...

Ish-shoku i Will Smith i kërkon atij të dëshmojë në padinë kundër gruas së tij, Jada Pinkett Smith

65
0

Emri i Will Smith është përfshirë në një mosmarrëveshje ligjore mes bashkëshortes së tij, Jada Pinkett Smith, dhe ish-mikut të tyre Bilaal Salaam, i njohur edhe si Brother Bilaal.

Salaam kërkon që aktori i njohur të dëshmojë në procesin gjyqësor kundër Jada Pinkett Smith, të cilën e akuzon se ka organizuar një fushatë shpifjesh ndaj tij pas një incidenti të ndodhur në festën e ditëlindjes së 53-të të Will Smith në vitin 2021.

Sipas një korrespondence me e-mail të përfshirë në dokumentet gjyqësore të paraqitura më 15 korrik, Salaam, i cili përfaqëson veten në këtë proces, ka kërkuar që 10 minutat e para të një takimi 30-minutësh me avokatët e Jada Pinkett Smith t’i kushtohen kërkesës për marrjen në pyetje të Will Smith.

Nga ana tjetër, avokatja e Jada Pinkett Smith ka deklaruar se klientja e saj i mohon kategorikisht të gjitha akuzat dhe se nuk ekziston asnjë arsye që Will Smith të përfshihet në këtë çështje.

“Zoti Smith nuk është palë në këtë proces gjyqësor. Nëse dëshironi dëshminë e tij, duhet të ndiqni procedurat ligjore për marrjen e dëshmisë nga persona që nuk janë pjesë e padisë. Sipas dijenisë sonë, Will Smith nuk ka marrë asnjë thirrje zyrtare nga gjykata”, thuhet në përgjigjen e avokates.

Salaam po kërkon 3 milionë dollarë dëmshpërblim nga Jada Pinkett Smith, duke e akuzuar për shkaktim të qëllimshëm të dëmit emocional. Ai pretendon se gjatë festës së ditëlindjes së aktorit, ajo dhe bashkëpunëtorët e saj e kanë kërcënuar.

Në padinë e dorëzuar në muajin nëntor, Salaam pretendon se Jada i kishte thënë se, nëse vazhdonte të fliste për çështjet e saj private, “do të zhdukej ose do të merrte një plumb”.

Ai gjithashtu pretendon se aktorja i kishte kërkuar të nënshkruante një marrëveshje konfidencialiteti (NDA), duke e paralajmëruar se në të kundërtën “do ta pësonte”. Sipas tij, më pas ai u shoqërua deri te vetura nga shtatë anëtarë të stafit të sigurisë së saj.

Në padi thuhet gjithashtu se ndaj tij u zhvillua një “fushatë hakmarrëse”, pasi ai kishte refuzuar ta ndihmonte Jada Pinkett Smith në menaxhimin e krizës pas incidentit të famshëm në ceremoninë e Oscars 2022, kur Will Smith goditi me shuplakë komedianin Chris Rock.

Salaam pretendon se si pasojë e kësaj situate ka zhvilluar çrregullim të stresit post-traumatik (PTSD), ka shtuar rreth 45 kilogramë në peshë dhe vuan nga tensioni i lartë i gjakut dhe diabeti.

Në dokumentet gjyqësore të 15 korrikut, avokatja e Jada Pinkett Smith kërkoi gjithashtu që Salaam të dorëzojë regjistrimet e bisedave telefonike, të cilat ai i konsideron prova kyçe për pretendimet e tij mbi kërcënimet dhe frikësimin.

Sipas saj, paditësi ende nuk ka pranuar qartë t’i dorëzojë këto regjistrime, nuk ka sqaruar nëse ato ekzistojnë për të dy personat e përfshirë në biseda dhe ka refuzuar të paraqesë dokumentacionin mjekësor që do të mbështeste pretendimet e tij për dëme fizike dhe emocionale, për të cilat kërkon dëmshpërblim.