Hetimet për vrasjen e Edmond alias Ali Sulës janë shtrirë edhe në Maqedoninë e Veriut, pasi rezulton se viktima ishte aksioner në një kompani, e cila ishte pajisur me licencë për kultivimin e kanabisit mjekësor.
“Është një pistë e re e hetimit. Jemi duke e vlerësuar dhe do të bashkëpunojmë me autoritetet e Maqedonisë së Veriut”, tha një burim nga Policia e Shtetit.
Një tjetër pistë hetimi është edhe një ekzekutim që lidhet me dhënien e fajdeve, ku Edmond Sula dyshohet se kishte përfshirë edhe kunatin e tij. Viktima dyshohet se jepte shuma të mëdha fajde, kryesisht në zonën e Niklës dhe zonat periferike të Tiranës, dhe në rastet kur paratë nuk i ktheheshin me interesin e dhënë, ai dyshohet se kërcënonte huamarrësit me marrjen e pronave.
Gjithashtu, është duke u hetuar edhe një lidhje e mundshme e tij me një nga grupimet më të rrezikshme kriminale, për shkak se shoqërohej me anëtarët e grupit, – shkruan VNA.
Edmond alias Ali Sula u qëllua për vdekje në derën e shtëpisë së tij në Bërxullë. Zona ku ndodhi krimi është e pambuluar me kamera, çka ka sjellë vështirësi për hetuesit në ndjekjen e lëvizjeve të autorit apo autorëve të dyshuar.







