Ballina Editorial Nga rotacioni i elitave te zëvendësimi i elitave

Nga rotacioni i elitave te zëvendësimi i elitave

60
0

Nga Red Varaku 

Shqipëria, për më shumë se tre dekada, ka funksionuar mbi logjikën e rotacionit të pushtetit. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë qenë dy shtyllat kryesore të sistemit tonë politik. Ato e kanë alternuar pushtetin, por në thelb kanë mbetur dy aktorët që gjithashtu kanë monopolizuar përfaqësimin politik sidomos pas ndryshimeve kushtetuese të 2008.

Për pasojë, deri tani, pakënaqësia dhe zemërimi i qytetareve është kanalizuar vazhdimisht brenda të njëjtit sistem, pa mundur të prodhojë një alternativë të re jashtë tij.

Megjithatë, zhvillimet e fundit me protestën sugjerojnë se ky model mund të jetë duke hyrë në një fazë transformimi.

Kjo sepse zemërimi dhe pakënaqësia kanë refuzuar sistemin aktual dhe kane shpërthyer në protestën më të madhe të të gjitha kohërave, protestë që nuk po artikulon vetëm kundërshtim ndaj qeverisë, por po shpreh gjithnjë e më shumë një mosbesim ndaj gjithë establishmentit politik. Ky është një ndryshim cilësor dhe jo thjesht sasior dhe në terminologjinë e shkencave politike, kjo përfaqëson kalimin nga një krizë qeverisjeje në një krizë përfaqësimi.

Nëse ne një krizë qeverisjeje, qytetarët kërkojnë ndryshimin e qeverisë, në një krizë përfaqësimi, ata fillojnë të kerkojne ndryshimin e te gjithe sistemit dhe kjo sepse ata ndihen te tradhtuar nga vete sistemi. Pikërisht në këtë moment lind hapësira për aktorë të rinj politikë.

Në fakt ky është mekanizmi që ka prodhuar transformime të rëndësishme në shumë demokraci. Fillimisht dobësohet legjitimiteti i elitave tradicionale ( fazë në të cilën ndodhet aktualisht protesta) , më pas krijohet një identitet i ri kolektiv përmes lëvizjeve shoqërore dhe vetëm në fazën e tretë lind organizimi politik që kërkon ta përkthejë këtë energji në përfaqësim elektoral.

Nga kjo perspektivë, protesta mund të shihet jo vetëm si një formë presioni ndaj sistemit, por edhe si një proces i prodhimit të një kulture të re politike. Brenda saj krijohen grupe, rrjete dhe komunitete besimi, artikulohen kërkesa të reja dhe formohet një brez i ri individësh, brez që fiton legjitimitet përmes angazhimit qytetar dhe jo përmes hierarkive tradicionale partiake.

Kjo është arsyeja pse vëmendja e tepruar ndaj numrit të protestuesve apo incidenteve të ditës eshte nje formule per te shmangur dhe humbur thelbin e procesit. Kjo sepse ndryshimet më të rëndësishme politike nuk fillojnë domosdoshmërisht kur krijohet një parti e re apo kur fitohen zgjedhje. Ato fillojnë kur ndryshon mënyra se si qytetarët e imagjinojne dhe konceptojnë përfaqësimin politik.

Në këtë kuptim, rëndësia historike e protestës nuk matet vetëm me ndikimin e saj afatshkurtër mbi qeverinë. Ajo mund të matet me aftësinë për të varrosur të gjithë trashëgiminë e tranzicionit bashkë me figurat më të rëndësishme të saj dhe për të krijuar kushtet sociale dhe politike për lindjen e një elite të re.

Nëse ky proces vjen duke u konsoliduar, shume shpejt Shqipëria nuk do të përjetojë thjesht një rotacion tjetër politik, por ajo do të hyjë në fazën e zëvendësimit të elitave, një proces që në historinë e demokracive përbën pikën e kthesës midis një sistemi që riprodhon vetveten ( tranzicionit) dhe një sistemi që garanton perfaqesimin e interesit paresor te qytetareve.