Ballina Europë Franca bëhet vendi i parë në BE që ndalon rrjetet sociale për...

Franca bëhet vendi i parë në BE që ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

62
0

Franca është bërë shteti i parë në Bashkimin Evropian që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeçare, pasi parlamenti miratoi një ligj të ri që synon mbrojtjen e të miturve nga rreziqet e botës digjitale.

Ligji, i mbështetur fuqishëm nga presidenti Emmanuel Macron, pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator, në fillim të vitit të ri shkollor, shkruan cnn.

Ai u kërkon platformave të rrjeteve sociale të zbatojnë sisteme të verifikimit të moshës të miratuara nga autoriteti francez për mbrojtjen e të dhënave personale. Platformat do të kenë edhe katër muaj kohë për të mbyllur llogaritë e përdoruesve që nuk plotësojnë kriterin e moshës.

Macron e ka cilësuar masën si të domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit mendor dhe zhvillimit të fëmijëve, duke deklaruar më herët se “truri i fëmijëve tanë nuk është në shitje”. Ligji është pjesë e një strategjie më të gjerë për kufizimin e ndikimit të tepërt të teknologjisë dhe për nxitjen e përdorimit më të përgjegjshëm të pajisjeve digjitale nga të rinjtë.

Megjithatë, zbatimi i ligjit ka ngjallur debat. Kritikët vënë në pikëpyetje nëse ndalimi mund të zbatohet në praktikë dhe paralajmërojnë sfida ligjore, veçanërisht lidhur me verifikimin e moshës dhe pajtueshmërinë me rregullat e Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian pritet ta shqyrtojë ligjin për të vlerësuar përputhshmërinë e tij me legjislacionin evropian.

Franca i bashkohet një prirjeje në rritje ndërkombëtare për kufizimin e aksesit të fëmijëve në rrjetet sociale. Australia tashmë ka vendosur një ndalim për përdoruesit nën 16 vjeç, ndërsa vende si Greqia, Spanja, Suedia dhe Austria po shqyrtojnë masa të ngjashme.