Ballina Europë Arrestohet pedofili gjerman dhe i dyshuari numër një në zhdukjen e 3-vjeçares...

Arrestohet pedofili gjerman dhe i dyshuari numër një në zhdukjen e 3-vjeçares Madeleine McCann

39
0

Christian Brückner, 49-vjeçari gjerman i dënuar për krime seksuale dhe personi kryesor nën hetim për zhdukjen e Madeleine McCann, është përfshirë në një tjetër procedim penal në Gjermani. Sipas revistës gjermane Der Spiegel, prokuroria e Kielit ka nisur hetime për një incident të ndodhur më 6 qershor jashtë një supermarketi, ku Brückner dyshohet se ka kundërshtuar dhe ka sulmuar efektivët e policisë.

Sipas hetimeve paraprake, Brückner po fotografonte me telefonin e tij celular disa oficerë policie që ndodheshin në vendngjarje. Pasi policia e vuri re, i kërkoi t’ua dorëzonte pajisjen, por ai dyshohet se refuzoi, duke shkaktuar një përplasje fizike.

Një zëdhënës i policisë gjermane konfirmoi se gjatë incidentit pati “sulm fizik ose rezistencë ndaj oficerëve të policisë”, ndërsa një efektiv mbeti i plagosur në gju. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi dëmtimin apo rrethanat e sakta të përplasjes. Paralelisht, prokurorët po shqyrtojnë edhe nëse fotografitë e realizuara nga Brückner mund të kenë shkelur ligjet gjermane për publikimin e imazheve të personave.

Avokati i tij, Philip Marquardt, konfirmoi incidentin, por e cilësoi reagimin e policisë si të ekzagjeruar. Ai pretendoi se fotografia ishte bërë nga një distancë prej më shumë se 40 metrash dhe se nuk kishte pasur asnjë problem ligjor. Brückner vijon të mohojë çdo përfshirje në zhdukjen e 3-vjeçares Madeleine McCann, e cila u zhduk në maj të vitit 2007 nga resorti Praia da Luz në Portugali. Në atë periudhë, ai jetonte rreth 10 minuta larg me makinë nga vendi ku u zhduk vajza.

Aktualisht ai ndodhet nën një dënim prej shtatë vitesh burg për përdhunimin e një gruaje 72-vjeçare amerikane, krim i kryer pranë zonës ku Madeleine u zhduk. Dënimi, i dhënë në vitin 2019, ende nuk është ekzekutuar për shkak të procedurave të apelimit. Më herët, në vitin 2011, Brückner ishte dënuar edhe me 21 muaj burg për përfshirje në një rrjet trafikimi kanabisi që furnizonte klientë të pasur.