Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Kryetari i Kuvendit prezantoi sot bilancin e punës së Kuvendit gjatë dy sesioneve të para të Legjislaturës së XI, duke e cilësuar këtë periudhë si një fazë reformash dhe modernizimi institucional, në funksion të përmbushjes së objektivit strategjik të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se Kuvendi ka forcuar tre funksionet e tij kushtetuese, ligjvënës, mbikëqyrës dhe zgjedhës, duke miratuar 131 ligje, rreth 40 më shumë se në dy sesionet e fundit të legjislaturës së kaluar. Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë parlamentare i është kushtuar procesit të integrimit europian, me shqyrtimin e projektligjeve për përafrimin e legjislacionit me acquis të Bashkimit Europian, monitorimin e negociatave dhe miratimin me konsensus të Rezolutës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Në aspektin e mbikëqyrjes parlamentare, u vu në dukje zbatimi i një modeli të ri, të orientuar drejt vlerësimit të performancës së institucioneve dhe monitorimit të zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit, si dhe hartimi për herë të parë i Kalendarit Vjetor të Mbikëqyrjes Parlamentare.







