Ballina Aktualitet Rrufeja godet një tufë bagëtish në Pogradec, ngordhin 10 dele e dhi...

Rrufeja godet një tufë bagëtish në Pogradec, ngordhin 10 dele e dhi dhe plagosen 17 të tjera

52
0

Një tufë bagëtish është goditur nga rrufeja mesditën e kësaj të premteje në fshatin Derdush, njësia administrative Dardhas, në Bashkinë e Pogradecit. Si pasojë, rreth 10 krerë bagëti të imta kanë ngordhur, ndërsa 17 të tjera kanë mbetur të plagosura.

Sipas të dhënave paraprake, tufa përbëhej nga rreth 190 dele dhe dhi, në pronësi të shtetases Tatjana Biçoku. Bagëtitë ishin në shtegtim nga zona e Pirgut drejt kullotave malore, kur u goditën nga rrufeja.

Menjëherë pas ngjarjes, në zonë janë nisur shërbimet veterinare për të vlerësuar gjendjen e bagëtive të mbijetuara dhe për të marrë masat e nevojshme.

Për shkak të mungesës së sinjalit telefonik në zonën malore, komunikimi me barinjtë dhe pronaren e tufës ka qenë i vështirë, çka ka penguar marrjen e një informacioni të plotë në kohë reale. Autoritetet pritet të dalin me një bilanc përfundimtar pas përfundimit të verifikimeve në terren.