Ballina Ekonomia AKM: Përmbytjet shkaktuan 100 milionë dollarë humbje në bujqësi në 1 dekadë

AKM: Përmbytjet shkaktuan 100 milionë dollarë humbje në bujqësi në 1 dekadë

77
0

Sipas një raporti të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, përmbytjet kanë shkaktuar deri tani rreth 100 milionë dollarë humbje në bujqësi.

“Si rezultat i këtyre ndryshimeve, në dekadën e fundit janë vërejtur shumë përmbytje. Dëmi më i madh u shkaktua në veriperëndim (rajonet e Shkodrës dhe Lezhës). Bazuar në vlerësimet e bëra nga ekspertët e bujqësisë, dëmi që rezultoi nga përmbytjet në prodhimin bujqësor në këto rajone arriti në rreth 100 milionë dollarë amerikanë”, thuhet në raport.

“Në këto kushte, duke marrë parasysh efektet e pritura të ndryshimeve klimatike në bujqësi, produkti i brendshëm bruto i Shqipërisë potencialisht do të humbasë midis 800 dhe 900 milionë dollarë amerikanë të ardhura nga prodhimi i të korrave deri në vitin 2050”, thuhet raporti.

Një tjetër shqetësim i ngritur në raport është përdorimi i lartë i pesticideve, i cili sipas AKM-së ka ndikuar negativisht në prodhimin bujqësor dhe cilësinë e tokës. Për këtë arsye, theksohet se Shqipëria duhet të përshpejtojë masat për të përmbushur objektivin e Bashkimit Evropian, që deri në vitin 2030 të paktën 25% e sipërfaqes bujqësore të përdoret për bujqësi organike.

“Të dhënat statistikore të Shqipërisë mbi rendimentin dhe prodhimin bujqësor në dekadat e fundit sugjerojnë se niveli i inputeve (plehra kimike, fara me cilësi të lartë, pesticide) dhe niveli i modernizimit (ujitja, teknologjitë e korrjes, etj.) janë rritur me ritme shumë të ulëta krahasuar me ato në Shtetet Anëtare të BE-së. Pavarësisht qëllimit dhe pritjeve të Shqipërisë në lidhje me rritjen e sipërfaqes nën bujqësinë organike, pjesa e sipërfaqes totale bujqësore të përdorur për bujqësinë organike midis viteve 2012 dhe 2022 ishte e ulët. Është e nevojshme të merren masa për të arritur objektivin e politikave të BE-së që 25% e sipërfaqes bujqësore të përdoret për bujqësinë organike deri në vitin 2030”, theksohet më tej në raport.