Ballina Lifestyle Madonna rrëfen dashurinë e madhe për Sean Penn dhe ribashkimin emocional me...

Madonna rrëfen dashurinë e madhe për Sean Penn dhe ribashkimin emocional me vajzën Lourdes

56
0

Projekti i ri muzikor i këngëtares Madonna jo vetëm që e ka ribashkuar atë me të bijën, Lourdes, por ka rikthyer në qendër të vëmendjes edhe ndjenjën e saj të pashuar për ish-bashkëshortin, Sean Penn.

Sipas një miku të ngushtë të “Mbretëreshës së Popit”, pavarësisht toneve kritike që ajo përdor ndaj fituesit të çmimit Oscar në këngët e reja, Penn vijon të mbetet njeriu që ajo ka dashur më shumë në jetë. Në albumin “Confessions on a Dance Floor Part II”, artistja i referohet në mënyrë të hapur martesës së tyre të bujshme të viteve ’80, duke kujtuar një ndjesi kërcënimi që e shoqëroi gjatë asaj periudhe. Projekti përfshin gjithashtu dedikime për të vëllanë e ndjerë dhe njerkën.

Një tjetër element tejet personal i këtij albumi është dueti me vajzën e saj 29-vjeçare, Lourdes Leon. Vetë këngëtarja tregon se ishte Lourdes ajo që mori nismën për të shkruar një këngë së bashku, duke e parë këtë si një rrugë për të shëruar çarjen mes tyre.

Burimet pranë familjes pohojnë se raporti mes nënës dhe vajzës ka kaluar nëpër stuhi të forta. Lourdes shpesh mendonte se e ëma kishte qenë tepër e ashpër gjatë rritjes, teksa Madonna përjetonte një ndjesë faji që e rriti të bijën në qendër të vëmendjes globale dhe të ekspozuar vazhdimisht para publikut.

Në këngën që krijuan bashkë, Madonna e thërret vajzën me nofkën e dashur “yll i vogël”, të njëjtin emër që përdori në albumin e vitit 1998, “Ray of Light”, kur Lourdes ishte veçse dy vjeçe.

Një tjetër arsye për distancën e dikurshme, sipas të njëjtit mik, ishte dëshira e Lourdes për të ndërtuar një identitet të veçantë, pa u perceptuar thjesht si pasardhësja e një ikone botërore.

Prej vitesh, Madonna është vënë në shënjestër të kritikëve për stilin e saj të rreptë të prindërimit. Raportimet tregojnë se ajo vendoste kufizime të forta në shtëpi, sidomos me teknologjinë, dhe ndiqte një regjim shumë të disiplinuar për gjashtë fëmijët e saj.

Lourdes vetë e ka pranuar publikisht se nëna e saj ushtronte një kontroll gati maniakal dhe se pas gjimnazit ndjeu një nevojë të fortë për të jetuar e pavarur dhe për ta çuar përpara jetën me forcat e veta.

Megjithatë, situata tashmë duket se ka ndryshuar rrënjësisht për mirë. Ata që i njohin nga afër thonë se ky bashkëpunim artistik i ka ndihmuar të dyja të kapërcejnë të shkuarën dhe të afrohen sërish.

“Madonna dhe Lola kanë kaluar periudha të turbullta në marrëdhënien e tyre, por tashmë po ecin shumë mrekuri falë kësaj kënge,” i tha një mik i familjes medias Page Six.