Ballina Kronika Konflikti në Durrës, sekuestrohet arma e efektivit që dyshohet se shoqërohej me...

Konflikti në Durrës, sekuestrohet arma e efektivit që dyshohet se shoqërohej me Denis Tafilin

83
0

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka sekuestruar armën e zjarrit të efektivit të policisë në Durrës, i cili dyshohet se është përfshirë në një sherr, pjesë e të cilit u bë pjesë dhe një 41-vjeçar i kërkuar nga SPAK, Denis Tafili.

Mësohet se efektivi ka qenë prezent në lokal kur ka ndodhur sherri, por në deklarimet e tij para agjentëve të AMP-së ka deklaruar se nuk ka lidhje me të kërkuarin e SPAK.

Edison Gjuzi, i cili u dhunua me qytën e pistoletës nga Tafili, pretendon se ka parë efektivin e policisë disa herë nën shoqërinë e të kërkuarit nga SPAK dhe personit tjetër që e dhunuan.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është duke verifikuar kamerat e sigurisë për të mësuar nëse efektivi ka favorizuar të kërkuarin e SPAK, Denis Tafili.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e 24 korrikut, ku sipas policisë së Durrësit, gjatë një konflikti për motive të dobëta, Edison Gjuzi 36 vjeç, është goditur me qytë pistolete nga 41-vjeçari Denis Tafili dhe shtetasi me iniciale G. M., 27 vjeç, të dy banues në Shkallnur, Durrës, të cilët pas ngjarjes janë larguar me automjet.

Në vendngjarje, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë pistolete dhe dyshohet se gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër me armë zjarri pistoletë.