Nga Xhevahir Cironku
Duke udhëtuar përgjatë shekullit XX që lamë pas vetiu të shfaqet para syve ai burrë që kurrë nuk u mposht nëpër rrjedhat historike që ka kaluar vendi ynë. Pikërisht, ishin djem e vajza shqiptare brenda e jashtë atdheut në mërgim, pavarësisht se punonin e studionin në vende të ndryshme në Evropë, apo edhe gjetkë, ata me zemër, mendje e sytë i kishin te Atdheu. Një nga ata ishte edhe biri i Skraparit, Xhelal Staravecka (Bala), i cili fillimisht, në verën e vitit 1935, braktisi akademinë ushtarake të Modenës (Itali) për t‘iu bashkuar lëvizjes revolucionare antizogiste dhe thirrjes së Riza Cerovës.
Me vizionin e tij largpamës, por edhe me zemrën që pulsonte me fatet jetike të atdheut, Xhelali do të bëhet i luftës antifashiste jo vetëm në Skrapar e Mallakastër duke krijuar çeta partizane por edhe si drejtues ushtarak i luftës në rang batalioni e brigade partizane (batalioni “Riza Cerova”, zëvendëskomandant i Brigadës së Parë Sulmuese) duke çliruar fshatra e qytete, krahina të tëra në qarkun e Beratit, Korçës e deri në Sauk të Tiranës. duke protagonist në krah të mbrojtjes së lirisë e të fateve jetike të Atdheut. Guximi i këtij njeriu të fton sot për t’i hedhur sytë e mendjen drejt atij ‘’Mali’’ të ngarkesave elektrike të rrufeshme të kohës, ku punoi e luftoi pa iu trembur syri atdhetarit Xhelal Staravecka. Të udhëtosh e të prekësh jetën e veprimtarinë e Xh. Staraveckës, me padyshim, duhej edhe një studim historiografik, sepse dritëhijet historike nuk kanë thënë ashtu si duhet të ishin, sepse ngjyrimet politike e rrethana të tjera, kanë kaluar nën hije kontributin e tij patriotik vetëm pse doli kundër partisë që udhëhiqte luftën asaj kohe. Por, vjen një ditë e vlerat e gjithë se cilit, këto të mira apo të dobta, marrin udhën e vetë e flasin me fakte bindëse që kur i lexon sot të të befasojnë falë punës kërkimore të autorit të këtij libri.
Naim Zoto, u ka qëndruar besnik fakteve e dokumenteve të arkivave, si rrjedhojë e tyre e fakteve të tjera shkrimore, nxjerrin në pah vlerat e vërteta historike Xhelal Staraveckës dhe bashkëluftëtarëve që udhëhoqi. Libri ka 500 faqe, i shoqëruar me 144 dokumente, dhe ka 16 kapituj. Por shoqërohet edhe me foto të kohës Autori librit Naim Zoto, na ka afruar e rrëfyer një kohë të largët në këtë shekull të ‘’21-të, sepse historia e gjurmët që kanë lënë njerëzit e thjeshtë e deri protagonistë patriotë, me veprimtarinë e tyre atdhetare kanë shkruar histori.
Libri nuk është thjesht një monografi historike, por një ‘’Përmendore’’ e gjallë e shkruar jo thjesht për një komandant partizan, Xhelal Staraveckën, por për gjithë ata që kontribuan për kombin shqiptar. Për këtë duhet vlerësuar e përgëzuar autori librit, sepse është një punë voluminoze, e lodhshme, po edhe krenari vlerash historike.







