Ballina Kulturë Arti në zi/ Ndahet nga jeta në moshën 66-vjeçare Rezana Çeliku, një...

Arti në zi/ Ndahet nga jeta në moshën 66-vjeçare Rezana Çeliku, një nga figurat e njohura të filmit dhe televizionit shqiptar

54
0

Është ndarë nga jeta në moshën 66 vjeçare, Rezana Çeliku, një prej figurave të njohura të artit, kinematografisë dhe televizionit shqiptar, e cila u bë e njohur për publikun veçanërisht gjatë viteve ’70 dhe ’80.

Çeliku u përfshi në botën e kinematografisë dhe spektaklit pothuajse rastësisht. Edhe pse nuk kishte ndjekur një formim profesional për aktrim, ajo tërhoqi vëmendjen e regjisorëve falë pamjes, natyrshmërisë dhe mënyrës së saj të komunikimit. Më herët, ajo ishte shfaqur edhe si prezantuese e disa festivaleve rinore në Televizionin Shqiptar.

Gjatë karrierës së saj në kinematografi, Rezana Çeliku interpretoi në disa produksione të njohura të asaj periudhe. Ndër rolet më të spikatura ishte ai i një partizaneje në filmin “Ata ishin katër”, me regji të Kujtim Çashkut, si dhe roli i mësueses në filmin “Shokë të një skuadre”.

Në vitin 1989, ajo u shfaq në filmin “Një djalë dhe një vajzë”, ku interpretoi rolin e një centralisteje. Personazhi i saj, i përfshirë në një marrëdhënie me një djalë më të ri, ishte një rol jo i zakonshëm për kohën dhe ngjalli diskutime te publiku. Ky do të ishte edhe interpretimi i saj i fundit në kinematografi.

Pas largimit nga aktrimi dhe nga puna si mësuese në zonat rurale të Tiranës, Çeliku vijoi studimet dhe u diplomua në Ekonomi dhe Juridik. Më pas ndërtoi një karrierë në administratën publike, ku për vite me radhë punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë e Tiranës.

Në një intervistë të vitit 2011 për suplementin “Unë Gruaja” të gazetës “Panorama”, Rezana Çeliku kishte folur edhe për jetën e saj personale. Ajo kishte treguar se kishte zgjedhur të qëndronte e pamartuar dhe se një prej pengjeve më të mëdha të jetës së saj kishte qenë mungesa e një fëmije.

Me ndarjen e saj nga jeta, arti dhe televizioni shqiptar humbasin një tjetër emër të një brezi që la gjurmë në ekran dhe në kujtesën e publikut.