Ballina Opinion Besa

Besa

63
0

Nga Gjon Marku 

Ndër institucionet më karakteristike të së drejtës dokësore shqiptare, një vend të veçantë zë besa, e cila përfaqëson njëherazi një vlerë morale dhe një mekanizëm juridiko-shoqëror të ndërtuar mbi autoritetin e fjalës së dhënë. E trashëguar brez pas brezi dhe e konsoliduar përgjatë shekujve, besa ka luajtur një rol themelor në rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet individëve dhe bashkësive shqiptare, duke u shndërruar në një nga shtyllat kryesore të organizimit tradicional të shoqërisë shqiptare.

Është për t’u çuditur si sot ky institucion, që prek kaq thellë shpirtin e shqiptarit, është shndërruar në një model të shpërdoruar nga pushtetari, i cili kërkon besë vetëm për t’u lejuar të vjedhë, mbron vjedhësin, mbron të pamoralshmin dhe vlerëson të pafytyrin, duke poshtëruar kështu të pambrojturin. Ah, medet – kjo është shkalla më e fundit e poshtërimit, e tjetërsimit dhe e shkombëtarizimit.

Në botëkuptimin tradicional shqiptar, fjala e dhënë konsiderohej garancia më e lartë e ndershmërisë dhe e integritetit moral të individit. Vlera e njeriut matej me aftësinë e tij për të respektuar angazhimet e marra, ndërsa mbajtja e fjalës identifikohej drejtpërdrejt me nderin dhe burrërinë. Për këtë arsye, besa u shndërrua në një normë morale me fuqi detyruese, e mbështetur jo vetëm në ndërgjegjen individuale, por edhe në kontrollin dhe gjykimin e vazhdueshëm të komunitetit.

Por kjo kërkohej prej burrave që e dinin vërtet ç’është besa – jo prej atyre që njeriun e quajnë sorrë a korb, krimb a guackë, dhe që shesin copa të atdheut të shtrenjtë; jo prej atyre që nderin nuk e lidhnin me lakuriqësinë si krenari, apo me vjedhjen si virtyt; jo prej atyre që poshtëronin njeriun e sëmurë a të varfër.

Përveç dimensionit etik, besa ka pasur edhe funksione juridike të mirëfillta. Në mungesë të institucioneve shtetërore moderne, ajo shërbeu si instrument normativ për garantimin e rendit shoqëror dhe për zbatimin e marrëveshjeve ndërmjet palëve. Autoriteti i saj buronte nga normat zakonore dhe nga pranimi kolektiv i detyrimeve që rridhnin prej saj. Në këtë kuptim, besa përfaqësonte një formë të së drejtës së pashkruar, e cila gëzonte legjitimitet të plotë brenda komunitetit.

Besa, megjithatë, nuk ishte një fjalë që jepej dhe merrej sa herë që dikush e dëshironte. Ajo nuk i jepej të pabesit, të pasojit, të pavirtytshmit, atij që dinte vetëm të priste në besë, apo atij që nuk dinte ç’është besa, por vetëm gënjente në premtimin e saj.

Në traditën shqiptare, besa ka funksionuar gjithashtu si instrument pajtimi dhe solidariteti shoqëror – jo si institucion i përqeshjes dhe poshtërimit, i imitimit e i përbuzjes ndaj të pamundurit, të sëmurit apo sakatit; kjo i është lënë në dorë tjetërkujt, njeriut pa besë a Zotit t’ia gjykojë.

Në rastet e konflikteve, gjakmarrjeve dhe mosmarrëveshjeve ndërkrahinore, besa krijonte një periudhë sigurie dhe paprekshmërie, duke mundësuar zhvillimin e bisedimeve dhe arritjen e marrëveshjeve të paqes. Fjala zinte vend, jepej në kuvend dhe mbahej: nuk shkelej, nuk përdhosej, nuk shpërdorohej. Përmes këtij funksioni, besa kontribuoi në ruajtjen e stabilitetit shoqëror dhe në forcimin e kohezionit ndërmjet bashkësive shqiptare.

Roli i saj shtrihej edhe në planin kombëtar. Duke forcuar lidhjet ndërkrahinore dhe ndjenjën e përkatësisë së përbashkët, besa ndikoi në ruajtjen e identitetit kulturor dhe në formësimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Për këtë arsye, ajo konsiderohet një nga elementet më përfaqësuese të trashëgimisë juridike dhe shpirtërore të shqiptarëve.

Besa e dikurshme ruajti malet tona të lira e të pashkelura, dhe për atë besë të dhënë u derdh gjak pa fund, që shqiptari të mos tjetërsohej në gjuhë, në fe e në zakone e tradita, që shqiptari të mbetej shqiptar, që të mos i preket gjuha e flamuri.

Por besa nuk mund t’i kërkohej të pabesit, bespremit apo besëshkelurit. Besa nuk kërkohej për të huajn dhe atdhe-shkelësin. Besa nuk i jepej të pabesit – sepse besa, në thelbin e saj më të thellë, nuk është thjesht një fjalë e shqiptuar, por një gjendje shpirtërore që fitohet me nder dhe që mund të humbet përgjithmonë me një akt të vetëm tradhtie.

Prandaj, kur sot dëgjojmë fjalën “besë” të përdoret si mburojë për të fshehur pandershmërinë, apo si justifikim për heshtjen para padrejtësisë, le të kujtojmë se kjo është tjetërsim i kuptimit të saj të vërtetë. Besa e stërgjyshërve tanë ishte forcë morale që ndërtonte, jo mburojë që fshihte; ishte nder që zotëronte, jo pushtet që shtrembëronte.