Nga Irena Beqiraj
Audio përgjimi që dëgjuam dje, tregoi se korrupsioni i zakonshëm administrativ që thyen rregullat është tejkaluar, në shtetin aktual shqiptar, rregullat i rishkruan Roni.
Audio përgjimi tregoi se ne operojmë në ‘Shtetin e Ronit’ ku menaxhimi i pronës publike riorganizohet në mënyrë të tillë që shfrytëzimi i saj të kanalizohet vetëm në duar e Ronit edhe sojit të tij , duke anashkaluar rregullat e transparencës edhe llogaridhënies.
Audio përgjimi i djeshëm ishte prova më e pastër sesi ligji përdoret si instrument nxitës i njëanshëm për transferimin e parave pa procedura garuese, pa transparencë, e pa llogaridhënie, nga buxheti tek Roni, i cili haptazi thotë se është i panginjur edhe dëshiron të bëj më shumë para .
Në ‘shtetin e Ronin’ i cili ka filluar të ngrihet që më 2018 shtrembërimi i procedurave të prokurimit kryhet lehtësisht me anë të ndërmarrjeve shtetërore (NSH) të cilat përdoren si instrument për legjitimimin e korrupsionit. ‘Modeli Kayo’ edhe rrjeti i kompanive të krijuara nën të, nuk është gjë tjetër veçse një variant më i përsosur i vjedhjes që filloi po me Ronin në 2018 me krijimin e AIR Albanias, sot të falimentuar.
Modeli Kayo që po replikohet tek një tjetër kompani tregtare e cila do të zotërojë milionat që menaxhonte AKSHI, apo tek kompania e barnave, janë shembuj ekselent të përdorimit të ndërmarrjeve shtetërore si tuba për të transferuar prona dhe para publike pa procedurë, pa tendera e pa garë, pa kontroll, nën kujdesin e Ramës tek soji i Ronit të cilët e shuajnë etjen për para tek buxheti i shtetit më të varfër në Europë .
Në shtetin e Ronin, Roni qeveris, Rama administron, korrupsioni legjitimon, presioni blen heshtjen. Sa më shumë konsolidohet kjo mënyrë qeverisjeje aq më shumë dëmet janë të pakthyeshme. Besa, Pasqyrat, e Prania Besnike janë thjesht manovra për të maskuar dhimbjet e degradimit .
Për dhëmbët me faceta të Ronit, shteti lipset ti dorëzohet arrë e qëruar. Për këtë nevojitet Ermal Nufi i cili ka ambicie që nga zëvendës sekretar në Kryeministri të bëhet ministër. Ermali e di mirë që Rama promovon vetëm ata që qërojnë dardha, kumbulla, e arra për të edhe për Ronin, ndaj për të kënaqur ambicien nuk heziton të shërbejë duke bërë skeletet e nevojshme në dollap.
Por as ai i vetëm nuk mjafton. Që shteti të drejtohet si kompani private e Ronit me administrator Kryeministrin, duhen që në Kuvend partia socialiste të çojë mercenarë, të gatshëm të certifikojnë çdo ditë ligjet që i shërbejnë vetëm Ronit. Ndaj me kujdes zgjidhen njerëz, që nevoja, ambicia, a ligësia i ka zhveshur nga skrupujt, edhe janë të gatshëm ti ofrojnë opinionin publik kornizën ideologjike që justifikon përdorimin e institucioneve shtetërore për t’i shërbyer interesave të ngushta të Ronit .
Por që Roni jo vetëm të pasurohet, por të duket i zoti edhe i mençur nuk mjafton Taulanti, Ulsiu, Zeqineja , Sara, Zamira, apo edhe Bajram Bega, nevojitet edhe përfshirja e avokatëve, ekspertëve që hartojnë legjislacione ose transaksione që favorizojnë transferimin e burimeve publike në duar e Ronit .
Me pjesëmarrjen aktive të një armate shpirtshitur, shqiptarët e gjejnë veten duke jetuar në një shtet që duket si demokraci në letër, por në realitet funksionon si kartel.
Ky është shteti i Ronit që administrohet nga Kryeministri!







