Policia e Divjakës ka finalizuar operacionin e koduar “Game Over”, duke goditur një rast të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit në një lokal në fshatin Karavasta e Re. Gjatë kontrolleve të ushtruara nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Divjakë, u zbulua një ambient i përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit nëpërmjet kompjuterëve dhe telefonave celularë.
Në flagrancë u arrestua pronari i lokalit, shtetasi A. Ç., 52 vjeç, i cili dyshohet se organizonte aktivitetin e paligjshëm. Gjithashtu, u vu në pranga edhe E. Ç., 35 vjeç, kamarier në lokal, pasi gjatë kontrollit të telefonit të tij u konstatuan faqe të ngjashme me ato të basteve sportive.
Nga verifikimet rezultoi se 35-vjeçari ishte gjithashtu i punësuar në mënyrë të paligjshme, pa qenë i regjistruar pranë organeve kompetente.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi 5 njësi kompjuterike, 1 DVR, 1 laptop dhe 5 aparate celularë, të cilat dyshohet se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.







