Janë konfirmuar raste të lisë së dhenve dhe dhive në katër komuna të Kosovës, duke ngritur shqetësime për përhapjen e sëmundjes në fermat blegtorale. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u ka bërë thirrje fermerëve që të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u ka bërë thirrje të gjithë fermerëve që mbajnë dele dhe dhi të rrisin vigjilencën dhe të zbatojnë masat e biosigurisë, pas konfirmimit të disa rasteve të sëmundjes Lija e Dhenve dhe Dhive (Sheep and Goat Pox) në komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë dhe Viti.
Sipas AUV-së, ekziston rreziku i përhapjes së mëtejshme të sëmundjes, prandaj fermerët duhet të respektojnë me përpikëri rekomandimet për parandalimin e saj.
Agjencia u ka kërkuar fermerëve që të mos lëvizin delet dhe dhitë nga fermat pa autorizimin e veterinerit zyrtar, të kufizojnë hyrjen e personave dhe automjeteve të paautorizuara në fermë, si dhe të shmangin kontaktin e kafshëve me tufat e fermave të tjera.







