Ballina Aktualitet Kështjella dhe miliona në banka, dosja e Ermal Beqirit hap një tjetër...

Kështjella dhe miliona në banka, dosja e Ermal Beqirit hap një tjetër pikëpyetje: Ku ishte SPAK-u kur AKSHI ishte nën akuzë?

41
0

Një kështjellë luksoze në Francë me vlerë rreth 2.6 milionë euro, mbi 2 milionë euro në llogari bankare, apartamente dhe pasuri të tjera të konsiderueshme. Janë këto asetet që kanë dalë në dritë nga hetimet ndaj biznesmenit Ermal Beqiri, një prej emrave kryesorë të dosjes që lidhet me tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Por përtej vlerës marramendëse të pasurive të zbuluara jashtë Shqipërisë, kjo çështje ngre një pyetje edhe më të madhe: si është e mundur që një person i lidhur me një sektor të ekspozuar prej vitesh ndaj kritikave publike për kontrata miliona euro të arrijë të krijojë një pasuri të tillë dhe të largohet nga vendi pa u ndalur më herët nga institucionet e drejtësisë shqiptare?

AKSHI prej vitesh ka qenë në qendër të debatit publik. Kontrata me vlera të larta, procedura prokurimi secret dhe të kritikuara, si dhe denoncime të vazhdueshme politike e mediatike kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si janë menaxhuar fondet publike në fushën e teknologjisë.

Megjithatë, ndërsa akuzat publike shtoheshin dhe opozita kërkonte hetime më të thelluara, personat që sot janë në fokus të drejtësisë vijonin aktivitetin e tyre ekonomik dhe, sipas të dhënave të fundit të bëra publike, investonin në pasuri jashtë Shqipërisë.

Nga kontratat publike te pasuritë në Francë

Hetimet, si kofini pas të vjelit, të SPAK për dosjen e AKSHI-t kanë sjellë në vëmendje aktivitetin e Ermal Beqirit dhe kompanive të lidhura me të. Sipas dyshimeve të ngritura nga prokuroria, hetimi lidhet me mënyrën e fitimit të kontratave publike dhe përfitime të dyshuara nga procedurat e prokurimit.

Por ajo që ka shtuar pikëpyetjet është zbulimi i pasurive të konsiderueshme jashtë vendit.

Një kështjellë në Francë me vlerë rreth 2.6 milionë euro, miliona euro në llogari bankare, apartamente dhe pasuri të tjera janë tashmë pjesë e hetimit.

Këto të dhëna nuk ngrenë vetëm pyetjen se nga janë krijuar këto pasuri, por edhe se pse mekanizmat shtetërorë shqiptarë nuk arritën t’i evidentonin më herët këto lëvizje financiare, nëse dyshimet për abuzime ekzistonin prej kohësh.

Pyetja e madhe: pse reagimi erdhi pas largimit?

Një nga çështjet më të debatueshme të kësaj dosjeje është mënyra se si Ermal Beqiri arriti të largohej nga Shqipëria.

Në një hetim për korrupsion dhe abuzim të mundshëm me fondet publike, një nga elementët më të rëndësishëm është pikërisht parandalimi i largimit të personave që mund të kenë dijeni ose rol në skemën e dyshuar.

Por në këtë rast, institucionet shqiptare reaguan pasi situata kishte kaluar në një fazë tjetër, duke çuar në kërkimin ndërkombëtar dhe arrestimin jashtë vendit.

Kjo sjell një pyetje të drejtpërdrejtë për SPAK-un:

A u vonua hetimi? A kishte indicie të mjaftueshme më herët për të ndërhyrë? Dhe pse një person që sot është në qendër të një dosjeje të rëndësishme arriti të largohej nga Shqipëria?

SPAK është krijuar si institucioni që duhet të luftojë korrupsionin në nivelet më të larta dhe të ndërhyjë aty ku institucionet e tjera kanë dështuar.

Por dosja e AKSHI-t nuk është vetëm një hetim për një biznesmen apo disa kontrata. Ajo është edhe një test për mënyrën se si funksionon parandalimi i korrupsionit.

Sepse lufta ndaj korrupsionit nuk matet vetëm me arrestimet pasi milionat janë transferuar dhe pasuritë janë krijuar jashtë vendit. Ajo matet edhe me aftësinë për të reaguar në kohë, për të ndaluar dëmin dhe për të parandaluar që personat nën dyshim të kenë mundësi të largohen.

Nëse sot drejtësia po kërkon të zbardhë se si janë krijuar këto pasuri, publiku kërkon gjithashtu përgjigje për një pyetje tjetër:

Si mundi një biznesmen i lidhur me një sektor të mbushur me denoncime publike të krijojë një pasuri milionëshe, ta transferojë jashtë vendit, ndërsa institucionet shqiptare qëndruan në heshtje për kaq gjatë?

Dosja Ermal Beqiri mund të mos jetë vetëm një hetim për tenderë. Ajo mund të jetë edhe një provë për vetë sistemin: nëse shteti arrin të ndjekë paratë në kohë, apo gjithmonë mbërrin pasi ato kanë marrë rrugën jashtë Shqipërisë./syri