Ballina Kosovë Kurti: Në Kalludër u gjetën mbetje të reja mortore, priten analizat e...

Kurti: Në Kalludër u gjetën mbetje të reja mortore, priten analizat e ADN-së

53
0

Kryeministri në detyrë i vendit Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë gërmimeve në Kalludër të Zubin Potokut janë zbuluar mbetje të reja mortore, ndërsa procesi i kërkimeve do të vazhdojë për javë apo edhe muaj.

“Sa ishim ne aty, u zbuluan edhe disa koka të reja, meqenëse gërmimet po vazhdojnë”, tha Kurti gjatë vizitës në lokacion.

Ai bëri të ditur se mbetjet mortore janë gjetur të shpërndara pranë një përroi, gjë që sipas tij e vështirëson procesin e zhvarrimit dhe identifikimit.

“Me shumë gjasa, në stinën e pranverës përroi ka lëvizur trupat, prandaj edhe nëse janë varrosur në të njëjtin vend, ato mund të mos jenë më aty”, u shpreh ai.

Kurti tha se identifikimi i mbetjeve do të bëhet vetëm pas analizave të ADN-së, ndërsa dyshohet se ato mund t’i përkasin grupit të 23 intelektualëve shqiptarë të rrëmbyer dhe ekzekutuar në prill të vitit 1999.

“Tash do të vazhdojnë këto gërmime edhe shumë javë, ndoshta edhe shumë muaj, meqenëse eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe janë buzë një përroi, i cili me shumë gjasa në stinën e pranverës është një përrua i fuqishëm dhe në këtë mënyrë trupat, edhe nëse janë varrosur në të njëjtin vend, mund të mos jenë aty”. Ai foli edhe për proceset gjyqësore që lidhen me krimet e luftës, duke akuzuar Serbinë se po arreston persona që kanë dhënë informacione për krimet” tha ai.

Ai falënderoi ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të EULEX për punën në terren, duke theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbështesin procesin deri në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta.