Ballina Kulturë Shuhet në moshën 86-vjeçare Faruk Basha, mjeshtri i kamerës dhe efekteve filmike

Shuhet në moshën 86-vjeçare Faruk Basha, mjeshtri i kamerës dhe efekteve filmike

40
0

Faruk Basha lindi në Tiranë më 9 shkurt 1940. Ai ishte djali i Seit Bashës, me origjinë nga Peja, oficer akademik i ushtrisë shqiptare, dhe i Enverë Këlliçit, vajzës së patriotit Masar Këlliçi dhe edukatores së fëmijëve.

Që në fëmijëri, Faruku shfaqi pasionin për fotografinë. Ndërsa bashkëmoshatarët luanin, ai shpesh qëndronte mënjanë me aparatin fotografik “Agfa”, duke fiksuar në kamera momentet e tyre.

Edhe pse përfundoi studimet për matematikë, pasioni i tij i vërtetë ishte arti. Shërbimin ushtarak e kreu pranë revistës “10 Korriku”, ku punoi si fotoreporter, ndërsa fotografitë e tij u botuan edhe në revista të tjera të kohës.

Më pas nisi punën në Kinostudio si ndihmës operator, duke hedhur hapat e parë drejt një karriere të gjatë në kinematografi. Gjatë aktivitetit të tij profesional, ai kontribuoi në më shumë se 20 filma, duke u dalluar si kameraman, kinematograf dhe zhvillues i efekteve speciale filmike.

Faruk Basha njihej gjithashtu për kulturën e gjerë, studimet mbi artin dhe njohjen e katër gjuhëve të huaja. Ai mori pjesë në hartimin e një fjalori teknik katërgjuhësh për terminologjinë e kinematografisë, ndërsa kreu edhe specializime jashtë vendit. Për vite me radhë dha mësim në Institutin e Lartë të Arteve dhe në Akademinë “Marubi”.

Në vitin 1972 u martua me Nermin Deliun, pedagoge dhe studiuese, pjesë e familjes së njohur tiranase Deliu. Vajza e tyre, Orinda, jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Familjarët e të afërmit e kanë kujtuar Faruk Bashën si një njeri të urtë, të ditur dhe me pasion për bisedat e thella. Ai u nda nga jeta pas një sëmundjeje të gjatë dhe të vështirë, gjatë së cilës bashkëshortja e tij, Nermini, i qëndroi pranë.