Është rritur bilanci i viktimave nga përmbytja e menjëhershme që goditi një zonë turistike në veriperëndim të Kinës, duke shkuar nga 10 në 25 persona të vdekur.
Sipas mediave shtetërore kineze, fatkeqësia natyrore ndodhi më 26 korrik në zonën turistike Shuangshimen, në rajonin malor të Gansu-së jugore. Përveç viktimave, 23 persona të tjerë mbetën të plagosur nga vërshimet e fuqishme.
Zona e Shuangshimenit është një destinacion i njohur për alpinistët dhe kampistët gjatë sezonit të verës, por reshjet intensive shkaktuan përmbytje të papritura që sollën shkatërrime të mëdha.
Agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua raportoi se Komisioni Kombëtar i Parandalimit të Fatkeqësive në Kinë do të mbikëqyrë hetimin për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të katastrofës.
Kina është përballur këtë verë me një seri fenomenesh ekstreme të motit, përfshirë përmbytje dhe rrëshqitje dheu. Në fillim të korrikut, 21 persona humbën jetën nga një rrëshqitje toke në të njëjtën provincë të Gansu-së.
Autoritetet kineze kanë shtuar masat e monitorimit dhe paralajmërimit për zonat me rrezik të lartë, ndërsa vendi vijon të përballet me ndikimet e motit ekstrem.







