Ballina Lifestyle Cristiano Ronaldo drejt martesës me Georginën, ja ku do të zhvillohet ceremonia

Cristiano Ronaldo drejt martesës me Georginën, ja ku do të zhvillohet ceremonia

53
0

Data zyrtare e martesës mes Cristiano Ronaldos dhe Georgina Rodriguez vazhdon të mbetet një mister. Pavarësisht zërave të shumtë që kanë qarkulluar muajt e fundit, çifti ende nuk ka bërë të ditur se kur do të kurorëzojë dashurinë me martesë.

Megjithatë, sipas tabloidit britanik The Sun, një detaj duket se është vendosur tashmë: vendi ku do të zhvillohet ceremonia. Sulmuesi portugez i Al Nassr dhe modelja argjentinase kanë zgjedhur Madeirën, vendlindja e Ronaldos, për ditën më të rëndësishme të jetës së tyre.

Sipas raportimit të Corriere della Sera, ceremonia fetare pritet të mbahet në katedralen e Funchal, qyteti kryesor i ishullit ku Ronaldo kaloi fëmijërinë e tij përpara se të bëhej një nga futbollistët më të mëdhenj në histori. Ceremonia mendohet të nisë në orën 15:00, në përputhje me traditat vendase.

Pas ceremonisë, festa e dasmës pritet të zhvillohet në hotelin luksoz me pesë yje Savoy Palace, që ndodhet pranë katedrales. Sipas burimeve, disa ambiente të hotelit janë rezervuar tashmë për të ftuarit dhe disa zona do të jenë të mbyllura për vizitorët gjatë gjithë fundjavës.

Historia e dashurisë mes Ronaldos dhe Georginës nisi në vitin 2016 dhe mori një kthesë të rëndësishme në gushtin e kaluar, kur futbollisti i propozoi partneres për martesë. Së fundmi, ata janë fotografuar së bashku gjatë pushimeve në Majorka, ku u panë edhe me unazat me diamant.

Në të kaluarën, Ronaldo kishte deklaruar se dëshironte të martohej pas Kupës së Botës, duke e lidhur këtë moment me ëndrrën për të fituar trofeun me Portugalinë. Edhe pse ai objektiv nuk u realizua, lidhja me Georginën ka mbetur një nga pikat më të qëndrueshme të jetës së tij personale.

Edhe pse data e martesës vazhdon të mbahet sekret, gjithçka tregon se çifti ka vendosur tashmë vendin ku do të thotë “Po” para familjarëve dhe miqve të tyre.