Ballina Kronika Hyri me gomone në zonën e pushuesve në Ksamil, drejtuesi gjobitet me...

Hyri me gomone në zonën e pushuesve në Ksamil, drejtuesi gjobitet me 500 mijë lekë dhe i bllokohet mjeti lundrues

55
0

Policia Kufitare ka ndëshkuar një drejtues mjeti lundrues, pasi hyri me gomone brenda perimetrit të sigurisë në plazhin publik të Ishujve të Ksamilit, duke rrezikuar pushuesit.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me synim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.

Gjatë patrullimit në sektorin detar të Ishujve të Ksamilit, efektivët konstatuan një gomone që kishte hyrë në zonën e ndaluar për mjetet lundruese, pranë “Plazhit Publik”, duke krijuar rrezik për personat që ndodheshin në det dhe në breg.

Në përfundim të veprimeve administrative, Policia bllokoi mjetin lundrues, ndërsa drejtuesi i tij, shtetasi me inicialet A. B., u gjobit me 500 mijë lekë të rinj për shkeljen e rregullave të sigurisë.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë në det të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, për të shmangur rrezikimin e jetës së pushuesve dhe për të garantuar një sezon turistik të sigurt.