Ballina Kosovë Kurti: Ka vullnet e gatishmëri për marrëveshje me LDK-në para seancës konstituive

Kurti: Ka vullnet e gatishmëri për marrëveshje me LDK-në para seancës konstituive

46
0

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka “vullnet dhe gatishmëri” mes partisë së tij Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja të vendit gjatë javës së ardhshme.

LVV-ja dhe LDK-ja pritet t’i rifillojnë bisedimet që ishin pezulluar muajin e kaluar për shkak të një votëbesimi brendapartiak të cilit i mbijetoi këtë javë lideri i partisë opozitare, Lumir Abdixhiku.

I pyetur të shtunën vonë se kur do të rinisin takimet me Abdixhikun teksa po afron seanca konstituive e Kuvendit e 6 gushtit, Kurti tha: “Do të përpiqemi që t’i shfrytëzojmë këto ditë, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur kur fillon seanca për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të”.

“Mirëpo nuk mund ta parashikojmë ende rezultatin, nuk do të mungojnë përpjekjet. Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, tha Kurti për Ekonomia Online, pas një ngjarjeje të partisë së tij në Prishtine për mikpritjen e mërgimtarëve, përcjell A2.

Ndërkohë, të shtunën, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i tha Radios Evropa e Lirë se gjatë një kuvendi partiak të enjten ishte arritur pajtueshmëri që partia të bashkëpunojë me partinë në pushtet për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

LDK-ja tashmë ka caktuar disa parime si parakushte për një marrëveshje të mundshme me LVV-në, përfshirë: marrëveshje për të gjitha institucionet, pra Kuvendin, Qeverinë, Presidencën, ose asnjë; agjenda shtetërore, politika sektoriale, programet qeverisëse, interesi i vendit si dhe ndarja e përgjegjësive.

“Këto tri parime neve na bashkojnë si Grup Parlamentar. Kuvendi [i LDK-së] ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Se si do të përmbyllet kjo kërkesë, tani është çështje e negociatave [me LVV-në]”, tha Haziri për REL-in.

Kurti, partia e të cilit i fitoi zgjedhjet e 7 qershorit, ka nevojë për një marrëveshje me opozitën për t’u siguruar që vendi do të ketë president të ri, dhe kështu t’i japë fund krizës së gjatë politike e institucionale.

Partia e tij i mori 53 mandate dhe, duke e pasur parasysh bashkëpunimin e deritanishëm të Kurtit me partitë e pakicave joserbe – që gëzojnë 10 vende – atëherë ai pritet t’i ketë votat e nevojshme prej të paktën 61 për ta konstituuar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re.

Por, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

Prandaj çështja e presidentit pritet të jetë në qendër të bisedimeve mes Kurtit e Abdixhikut.