Ballina Politika Rama reagon pas djegies së teserave të PS: “Akt i turpshëm, por...

Rama reagon pas djegies së teserave të PS: “Akt i turpshëm, por kundërshtimet për reformën janë normale”

55
0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas djegies së teserave të Partisë Socialiste nga disa anëtarë të pakënaqur me projektin e reformës së re territoriale, duke e cilësuar këtë veprim një “akt të turpshëm”, por duke theksuar se kundërshtimet ndaj reformës janë legjitime dhe pjesë e procesit të konsultimit publik.

Në reagimin e tij, Rama u përgjigjet edhe zërave që kanë interpretuar protestat dhe rezervat e shprehura nga disa socialistë si shenjë përçarjeje brenda mazhorancës.

“Vazhdon qarja e hallit të kalorësit se po i varen këmbët… po protestohet edhe ‘brenda PS’ dhe kjo qenka një shenjë tmerrësisht e keqe për ‘regjimin’. Në fakt jo”, shkruan kryeministri.

Ai pranon se ka pasur raste si djegia e teserave të PS-së dhe deklarata të disa deputetëve, por nënvizon se, përtej këtij episodi, të gjitha mendimet dhe kundërshtimet ndaj reformës janë të mirëpritura.

Sipas Ramës, projekti ndodhet në fazën 60-ditore të konsultimit publik dhe pikërisht kjo periudhë është parashikuar që qytetarët, bashkitë dhe institucionet të shprehin lirisht qëndrimet e tyre.

Kryeministri garanton se nuk do të ketë asnjë pengesë për shprehjen e opinioneve, ndërsa vendimi përfundimtar për reformën territoriale do të merret vetëm pas përfundimit të konsultimeve dhe do t’i takojë Kuvendit.

Në fund të reagimit, Rama ironizon një pjesë të argumenteve të përdorura kundër reformës, duke thënë se organizimi administrativ nuk mund të mbështetet në “gojëdhëna” apo në historinë e zonave, por në kritere logjike dhe funksionale.