Ballina Kronika Shtohen kontrollet, 280 gjoba nga Policia Kufitare, mjetet ujore në formë makinash...

Shtohen kontrollet, 280 gjoba nga Policia Kufitare, mjetet ujore në formë makinash bëhen rrezik në plazhe

50
0

Jo vetëm me Lamborghini në rrugë, por tashmë edhe në det. Përveç jet ski-ve klasike, këtë sezon veror në bregdetin shqiptar janë shfaqur gjithnjë e më shumë mjete ujore të ndërtuara në formën e makinave sportive.

Megjithatë, përdorimi i tyre pa respektuar rregullat e lundrimit është kthyer në një rrezik për pushuesit që frekuentojnë plazhet.

Për të garantuar sigurinë në zonat bregdetare, Policia Kufitare në Vlorë, Durrës dhe Shkodër ka shtuar kontrollet, duke ndëshkuar drejtuesit e mjeteve ujore që shkelin perimetrin e sigurisë, por edhe subjektet që ushtrojnë këtë aktivitet në kundërshtim me rregullat. Në identifikimin e shkelësve kanë ndihmuar edhe denoncimet e qytetarëve, të cilët kanë sinjalizuar rastet kur mjetet ujore lëviznin pranë zonave ku lahen pushuesit.

Që prej nisjes së sezonit veror, më 1 qershor, e deri më tani, Policia Kufitare ka vendosur rreth 280 masa administrative në të gjithë vendin. Shkeljet lidhen kryesisht me mosrespektimin e perimetrit të sigurisë dhe mungesën e dokumentacionit të nevojshëm për mjetet ujore. Gjatë kontrolleve janë bllokuar edhe rreth 150 mjete ujore.

Numrin më të lartë të gjobave e mban qarku i Vlorës, ku janë vendosur 225 masa administrative, si pasojë e vijës së gjatë bregdetare dhe fluksit të lartë të mjeteve ujore. Në Durrës dhe Shëngjin janë regjistruar 52 gjoba, ndërsa në Shkodër, në zonën e plazhit të Velipojës, janë vendosur 3 masa administrative.

Sipas policisë, gjobat për shkeljen e perimetrit të sigurisë variojnë nga 1 deri në 5 milionë lekë të vjetra, ndërsa kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror me synimin për të garantuar sigurinë e pushuesve në bregdet.