Një rast që ka tronditur Britaninë e Madhe ka nxjerrë në pah dështime të policisë dhe institucioneve të mbrojtjes së fëmijëve, pasi një 22-vjeçar me urdhër arresti të pazbatuar për 18 muaj përfundoi duke vrarë vajzën 2-vjeçare të partneres së tij.
Harrison Simpson u dënua me burgim të përjetshëm dhe duhet të vuajë të paktën 28 vjet burg për vrasjen e Isabelle Welsh, e cila humbi jetën në shtator të vitit 2025. Edhe nëna e vogëlushes, Alexandra Walker, u shpall fajtore për vrasje dhe u dënua me burgim të përjetshëm me një minimum prej 21 vitesh.
Hetimet zbuluan se Simpson duhej të ishte arrestuar që në mars të vitit 2024, pasi nuk ishte paraqitur në gjykatë për shkeljen e një urdhri mbrojtës ndaj një ish-partnereje. Megjithatë, urdhri nuk u ekzekutua dhe ai mbeti i lirë, krijoi lidhje me Walker dhe shkoi të jetonte me të dhe vajzën e saj.
Policia e Cleveland pranoi se urdhri i arrestit mbeti i pazbatuar për një periudhë që nuk përmbush standardet e kërkuara, edhe pse ishin bërë disa përpjekje për ta lokalizuar.
Gjatë gjyqit u provua se vogëlushja kishte qenë viktimë e dhunës fizike dhe seksuale për muaj me radhë. Ajo pësoi një dëmtim fatal në tru më 13 shtator 2025 dhe ndërroi jetë një ditë më vonë në spital.
Autopsia zbuloi 21 kocka të thyera, përfshirë kafkën dhe shtyllën kurrizore, 97 dëmtime të indeve të buta dhe hemorragji në tru. Prokuroria e cilësoi rastin si një nga episodet më të rënda të dhunës ndaj një fëmije.
Vetëm 12 ditë para vdekjes, Isabelle ishte dërguar në spital me një frakturë në këmbë. Një infermiere ngriti shqetësime për sigurinë e saj, por rasti nuk u referua më tej. Edhe shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve patën kontakte me familjen në javët para tragjedisë, pa ndërmarrë masa.
Pas ngjarjes, Policia e Cleveland njoftoi se ka ndryshuar procedurat për menaxhimin e urdhrave të arrestit dhe rastet me rrezik të lartë monitorohen tashmë çdo ditë. Edhe autoritetet lokale për mbrojtjen e fëmijëve kanë vendosur masa të reja për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme.







