Ballina Europë Mbajti trupin e nënës në frigorifer për 3 vite për të marrë...

Mbajti trupin e nënës në frigorifer për 3 vite për të marrë pensionin, dënohet me burg 60-vjeçari në Uells

49
0

Një 60-vjeçar në Uells është dënuar me 2 vite e 4 muaj burg pasi mbajti trupin e nënës së tij në frigorifer për gati tre vite, duke fshehur vdekjen e saj për të vazhduar të përfitonte pensionin dhe pagesat sociale në emër të saj. Christopher Phillips u shpall fajtor nga një gjykatë në Cardiff për pengimin e një varrimi të ligjshëm dhe dinjitoz, si dhe për dy akuza mashtrimi ndaj institucioneve britanike. Ai përfitoi në mënyrë të paligjshme rreth 91 mijë euro (78 mijë paund) nga pagesat që vazhduan të kalonin në llogarinë e nënës së tij pas vdekjes.

Sipas të dhënave të paraqitura në gjykatë, nëna e tij, Sylvia Phillips, 89 vjeçe, ndërroi jetë më 8 mars 2023. Djali i saj, i cili ndodhej pranë saj në momentet e fundit të jetës, u kishte premtuar se do të “kujdesje” për të. Vetëm dy ditë pas vdekjes së saj, Phillips bleu një frigorifer të madh dhe e vendosi në dhomën e ndenjes së banesës së tyre në Porthcawl, në jug të Uellsit, ku më pas futi trupin e nënës së tij. Trupi ishte mbështjellë me një pëlhurë me motive leopardi dhe ishte vendosur pranë një kartoline urimi ku shkruhej: “Për mamin, nga Christopher dhe Tina”, ku Tina ishte qeni i familjes.

Gjatë kësaj periudhe, Phillips nuk njoftoi autoritetet për vdekjen e nënës së tij. Për pasojë, pagesat e pensionit shtetëror, ndihmat sociale, pagesat për kujdestarin, mbështetjen për strehimin dhe përfitime të tjera vazhduan të derdheshin në llogarinë e saj bankare. Gjykata bëri të ditur se ai përdori këto fonde përmes llogarive bankare të nënës së tij, duke përfituar gjithsej 78,190.92 paund në mënyrë të paligjshme.

Avokatët e mbrojtjes argumentuan se Phillips kishte pasur një lidhje shumë të fortë me nënën e tij, e cila e kishte birësuar kur ai ishte vetëm dy vjeç. Ata kishin jetuar së bashku për rreth pesë dekada dhe që prej vitit 2008 ai ishte kujdesur për të. Sipas mbrojtjes, pas vdekjes së saj 60-vjeçari kishte kaluar një periudhë të rëndë psikologjike dhe nuk arrinte ta pranonte humbjen. Ai i kishte thënë policisë se “nuk donte ta linte të shkonte” dhe kishte vazhduar të ulej pranë trupit të saj, t’i mbante dorën dhe të fliste me të sikur të ishte ende gjallë.

Ai i tregonte për emisionet televizive, garat me kuaj dhe serialet që ndiqnin së bashku. Megjithatë, gjyqtarja Tracey Lloyd-Clark theksoi se, pavarësisht gjendjes emocionale të të pandehurit, fshehja e vdekjes për një periudhë kaq të gjatë dhe përfitimi financiar e rënduan ndjeshëm çështjen.

Ngjarja u zbulua në shkurt të vitit 2026, pasi mjeku i familjes së Sylvia Phillips ngriti shqetësime për mungesën e saj. Kur policia shkoi në banesë, Phillips fillimisht pretendoi se nëna e tij ndodhej në Londër, duke qëndruar me të afërmit. Por ai nuk mundi të jepte as adresën dhe as detaje të tjera që të mbështesnin deklaratën e tij. Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti trupin e 89-vjeçares në frigoriferin e dhomës së ndenjes dhe arrestoi djalin e saj.

Gjykata vlerësoi se gruaja ishte privuar nga një varrim i denjë për afro tre vite, por nuk kishte prova se trupi i saj ishte keqtrajtuar pas vdekjes. Ndërkohë, hetimet për shkaqet e sakta të vdekjes së Sylvia Phillips vijojnë në kuadër të procedurës mjeko-ligjore.