Ballina Politika “Po ndërtojnë fabrikën e armëve mbi pronë private,” Tabaku: Siguria po ndahet...

“Po ndërtojnë fabrikën e armëve mbi pronë private,” Tabaku: Siguria po ndahet mes miqve të pushtetit

52
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ishte sot në Babrru të Tiranës, ku u takua me pjesëtarë të familjes Dervishi dhe denoncoi marrjen nga shteti të pronës së trashëguar prej tyre brez pas brezi.

Sipas Tabakut, prona është vënë në dispozicion të projektit për ndërtimin e një fabrike armësh, të cilën ajo e cilësoi si “aferën korruptive të radhës”.

“Qeveria shqiptare ka marrë pronën e ligjshme, të trashëguar ndër vite dhe brez pas brezi, për të ndërtuar aferën korruptive të radhës: fabrikën e prodhimit të armëve”, deklaroi Tabaku.

Deputetja demokrate e ka ngritur edhe më herët këtë çështje, duke deklaruar se prona e familjes Dervishi i është dhënë kompanisë KAYO. Sipas denoncimit të saj, në këtë kompani shtetërore është përfshirë si aksioner edhe biznesmeni kontrovers Ron Yeffet.

Tabaku theksoi se investimet në industrinë e mbrojtjes duhet të realizohen nëpërmjet procedurave të hapura dhe transparente, pa cenuar sigurinë kombëtare dhe të drejtën e pronës.

“Shqipëria duhet të sillet si një shtet serioz. Për sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, duhet të ketë prioritete dhe të ofrojë procedura transparente e të hapura, të cilat nuk e cenojnë sigurinë kombëtare”, tha ajo.

Sipas Tabakut, qeveria po e ndërton fabrikën e armëve pa garë, pa konkurrencë dhe pa një procedurë transparente, duke e trajtuar një sektor strategjik njësoj si tenderat e zakonshëm publikë.

“Po e trajton njësoj siç trajton tenderat e rrugëve dhe ‘tepsinë e pushtetit’, duke e ndarë ndërmjet miqve afër Kryeministrit”, deklaroi deputetja e PD-së.

Tabaku ngriti alarmin edhe për përfshirjen në sigurinë kombëtare të personave ndaj të cilëve, sipas saj, ekzistojnë pikëpyetje të mëdha.

“Qeveria krijon mekanizma për të marrë jo vetëm fondet e buxhetit të shtetit, por edhe për të përfshirë në sigurinë kombëtare persona ndaj të cilëve ka pikëpyetje shumë të mëdha dhe që mund ta cenojnë sigurinë kombëtare. E gjithë kjo ndodh duke shkelur ligjin”, u shpreh ajo.

Deputetja demokrate e vendosi rastin e familjes Dervishi në një problematikë më të gjerë: cenimin e pronës private dhe trajtimin e aseteve publike e private si pronë e qeverisë.

“Kur qeveria shkel ligjin, çfarë presim nga qytetarët? Kur qeveria merr tokën dhe ndan asetet, qofshin publike apo private, sikur të jenë të vetat, çfarë presim nga qytetarët?”, pyeti Tabaku.

Ajo paralajmëroi se pa respektimin e së drejtës së pronës, Shqipëria nuk mund të ndërtojë një shtet normal dhe europian.

“Shqipëria nuk ka për të qenë kurrë as shtet normal dhe as shtet europian, në qoftë se nuk respekton të drejtën e pronës”, deklaroi Tabaku.

Në përfundim, ajo garantoi familjen Dervishi se do ta ndjekë deri në fund si çështjen e pronës, ashtu edhe mënyrën se si po ngrihet fabrika e armëve.

“Jemi këtu me familjen Dervishi për t’i shkuar deri në fund jo vetëm aferës së armëve, por edhe çështjes së trajtimit me dinjitet të pronës”, përfundoi Tabaku.