Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë deklarojnë se, pas skadimit të afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese dhe mungesës së ndërhyrjes nga Kuvendi, vendimi për mënyrën e përllogaritjes së pagave të magjistratëve është tashmë drejtpërdrejt i zbatueshëm.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar këtë të hënë, tre organizatat kujtojnë se Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 15, datë 17 shkurt 2026, pranoi kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve, të mbështetur edhe nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, duke vlerësuar se ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2023 cenonin statusin financiar të magjistratëve përmes një uljeje të fshehur të pagës.
Sipas shoqatave, Gjykata Kushtetuese i kishte lënë Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për të miratuar ndryshimet ligjore që do të rregullonin skemën e pagave në përputhje me standardet kushtetuese. Megjithatë, ato konstatojnë se ky afat përfundoi pa u miratuar ndryshimet e kërkuara.
Në deklaratë thuhet se vetë Gjykata Kushtetuese kishte parashikuar mekanizmin që do të zbatohej në rast të mosveprimit të Kuvendit. Për këtë arsye, sipas shoqatave, nga 1 gushti 2026 pagat e magjistratëve duhet të përllogariten sipas formulës që i referohet pagës së funksionarit të administratës së lartë publike, në përputhje me vendimin nr. 35/2022 të Gjykatës Kushtetuese.
Shoqatat shtojnë se e njëjta formulë duhet të zbatohet edhe me efekt prapaveprues për periudhën 1 prill 2023 – 31 korrik 2026, siç përcaktohet në vendimin nr. 15/2026.
Në përfundim, ato shprehen se do të monitorojnë zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të respektojnë detyrimet kushtetuese për ekzekutimin e tij.







