Nga Steven Bucci
Shqipëria ndodhet në krizë, Amerika duhet t’i kushtojë vëmendje. Shumë do të pyesin: “Pse?” ose “Ku ndodhet Shqipëria dhe pse duhet të interesohet Amerika?”
Por amerikanët jo vetëm që duhet të kujdesen për Shqipërinë, por duhet të ndërmarrin veprime. Ajo që po ndodh atje është një paralajmërim për atë që mund të përballemi edhe këtu, nëse socializmi vazhdon të rritet.
Shqipëria (e vendosur në Ballkanin Perëndimor, në veri të Greqisë) ishte e izoluar nën një regjim komunist brutal nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore deri në fillim të viteve ’90 – një “burg” pothuajse 50-vjeçar për më shumë se 3 milionë njerëz.
Pas fitimit të lirisë, shqiptarët zgjodhën në shumicë dërrmuese të forconin lidhjet me Perëndimin, ndërsa ndërtonin vetëqeverisjen dhe një ekonomi të bazuar në tregun e lirë. Shqipëria u bë një nga vendet e para që nënshkroi Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe më vonë u anëtarësua plotësisht në Aleancë. Vendi ishte ndër të parët që ofroi mbështetje ushtarake për SHBA-në pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, si në Afganistan ashtu edhe në Irak.
Shqipëria moderne ka qenë në çdo drejtim një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara.
Sot, vendi është sërish i bllokuar nën një qeveri të partisë socialiste, e cila po i shmanget rregullave të zgjedhjeve të lira dhe po përdor funksionet legjitime të shtetit për të shtypur kundërshtimet dhe për të burgosur kundërshtarët politikë.
Qeveria e konsoliduar e kryeministrit Edi Rama, po e largon vendin nga konservatorizmi dhe vlerat familjare – që kanë qenë prej kohësh pjesë e kulturës shqiptare – duke e përdorur Shqipërinë si një eksperiment për idetë kolektiviste të George Soros dhe mbështetësve të tij.
Udhëheqësi i një koalicioni të madh në Shqipëri foli me mua në kushtet e ruajtjes së anonimatit për sfidat me të cilat përballet vendi. Emri i tij nuk do të publikohet për të shmangur ndjekjen ligjore dhe politike. Ai nuk është pjesë e qeverisë, nuk është figurë politike dhe nuk kërkon asnjë post – por thjesht dëshiron më të mirën për vendin e tij. Ai drejton një organizatë të shoqërisë civile, multikonfesionale dhe multietnike.
Ju lutem lexojini këto fjalë me mendje dhe zemër të hapur ndaj të vërtetës që ai përshkruan.
“Që prej 31 majit, në të gjithë vendin kanë nisur protesta. … [Në qershor], një person me maskë hoqi flamurin e Izraelit nga Ambasada e Izraelit. Vendi po vuan nga korrupsioni i përhapur dhe … ministra të qeverisë dhe kryebashkiaku i Tiranës janë në burg për korrupsion. Mbi një milion shqiptarë janë larguar nga vendi në 20 vitet e fundit për shkak të mungesës së shpresës.”
Pas më shumë se dy vitesh shërbimi si atasheu i parë amerikan i mbrojtjes me kohë të plotë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Shqipëri, mund të dëshmoj për vërtetësinë e këtyre deklaratave. Personi që i ka bërë këto komente nuk është vetëm një njeri me integritet dhe jashtë politikës, por të gjitha deklaratat e tij i kam verifikuar edhe përmes qytetarëve amerikanë që jetojnë në Shqipëri.
Burimi ynë gjithashtu vuri në dukje: “Situata ka tërhequr vëmendje të madhe publike dhe ka nxitur debate të forta si brenda vendit, ashtu edhe ndërkombëtarisht. Pas miratimit të Ligjit për Barazinë Gjinore në nëntor të vitit 2025, lëvizja LGBT është bërë gjithnjë e më aktive dhe ka vijuar sulmet e saj të rreme ndaj liderëve fetarë. Gjatë javës së fundit të majit, aktivistë LGBT [dhe një numër organizatash progresiste] paraqitën ankesa ligjore ndaj grupeve të ndryshme fetare.”
Qëllimi i këtyre veprimeve është të heshtin çdo person që nuk pajtohet me narrativën e tyre të zgjedhur. “A ju duket e njohur kjo situatë?”
Ai shpjegoi gjithashtu se “Ministria e Shëndetësisë njoftoi një urdhër për spitalet publike lidhur me nisjen e terapive hormonale për personat që identifikohen si transgjinorë, përfshirë edhe të miturit nga mosha 13.5 deri në 18 vjeç. Kjo do të çonte në sterilizimin kimik të fëmijëve shqiptarë dhe do të sillte pasoja të rënda dhe të pakthyeshme në jetën e tyre.”
Kjo bie ndesh me bazat kulturore të mënyrës tradicionale të jetesës shqiptare.
Burimi tha se qytetarët kanë tentuar të kundërshtojnë përmes mjeteve ligjore.
“Një Marshim kombëtar paqësor për Jetën u organizua më 1 qershor nga grupet shqiptare pro-jetës dhe pro-familjes. Mijëra njerëz nga qytete të ndryshme të Shqipërisë u mblodhën dhe morën pjesë. Ne marshuam në mënyrë paqësore drejt Ministrisë së Shëndetësisë, duke mbajtur pankarta dhe duke kërkuar anulimin e menjëhershëm të këtij urdhri.
Niveli i pjesëmarrjes ishte i konsiderueshëm dhe marshimi pasqyroi shqetësimin më të gjerë publik të shumë qytetarëve, të cilët kërkojnë të mbrojnë fëmijët nga një agjendë e rrezikshme. Me kërkesë të shumë qytetarëve, u firmos një peticion kombëtar që kërkonte anulimin e menjëhershëm të urdhrit dhe rishikimin e kësaj politike. Grupet shqiptare pro-jetës dhe pro-familjes kanë kërkuar gjithashtu zyrtarisht që urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë të shfuqizohet.”
Ky reagim i përbashkët ndërfetar ishte i paprecedentë në politikën dhe shoqërinë civile shqiptare të kohëve moderne. Njerëzit po flasin, por qeveria socialiste nuk po i dëgjonte.
“Si Koalicion, ne besojmë fuqimisht se mbrojtja e fëmijëve është një nga përgjegjësitë më të rëndësishme që na janë besuar nga Zoti. Kjo nuk është vetëm një çështje sociale apo politike, por edhe një çështje shpirtërore. Sfidat me të cilat përballet vendi ynë kërkojnë mençuri, dallim dhe udhëzim që mund të vijë vetëm nga Zoti. Në këtë periudhë të vështirë, kisha ka qëndruar pranë njerëzve përmes lutjeve, mbështetjes dhe inkurajimit të vazhdueshëm, duke e parë këtë përballje si një thirrje të përbashkët për të mbrojtur të vërtetën dhe vlerat biblike në Shqipëri.”
Të shikosh njerëz nga komunitete të ndryshme fetare të bashkuar për të mbrojtur historinë e tyre të përbashkët kulturore dhe bindjet e tyre të ndryshme fetare është një zhvillim inkurajues, por njëkohësisht tregon edhe dëshpërimin në rritje në Shqipëri.
Bashkimi Europian nuk duket se është i prirur të ndihmojë në këtë krizë, ndërsa shumë vende anëtare duket se janë të mahnitura nga eksperimentet socialiste që po zhvillohen nën rregjimin e Ramës.
Ndoshta ka ardhur koha që konservatorët amerikanë të të gjitha rrymave të shprehin mbështetjen e tyre për aleatët tanë që po përballen me vështirësi – dhe ta shohin Shqipërinë si një paralajmërim për atë që kërkojnë të sjellin socialistët tanë. /Dailysignal.com/
*Steven Bucci, drejtuesi i fondacionit amerikan ‘Heritage’. Më herët ka shërbyer edhe si atasheu i parë ushtarak i SHBA në Shqipëri. Eshtë studiues në Qendrën Phillip N. Truluck për Zhvillimin e Lidershipit.







