Ballina Europë Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare arrestohet në Francë për trafik kokaine, rrëfen arsyen...

Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare arrestohet në Francë për trafik kokaine, rrëfen arsyen para gjykatës

62
0

Olgerd Muka, ish-futbollist i njohur shqiptar dhe ish-lojtar i Kombëtares, është arrestuar në Francë nën akuzën e shpërndarjes së kokainës.

46-vjeçari u ndalua nga policia në qytetin e Dizhonit pas një operacioni që zgjati më shumë se dhjetë ditë. Sipas autoriteteve franceze, Muka dhe një shtetas tjetër shqiptar u kapën në flagrancë duke shpërndarë kokainë në një park të qytetit.

Pas arrestimit, ish-futbollisti doli para gjykatës, ku u përpoq të shpjegonte arsyet që, sipas tij, e shtynë të përfshihej në këtë aktivitet të paligjshëm.

“Rreth 18 muaj më parë kalova një sëmundje dhe humba vendin e punës”, deklaroi Muka, duke shtuar se vështirësitë ekonomike të familjes e kishin detyruar të pranonte këtë mënyrë për të siguruar të ardhura.

Gjatë karrierës së tij si futbollist, Muka ka luajtur me disa nga klubet më të njohura të futbollit shqiptar, mes tyre Lushnja, Teuta, Dinamo, Bylis, Flamurtari, Partizani dhe Besa. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e Kombëtares shqiptare në disa ndeshje miqësore.

Pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, ish-mbrojtësi kishte nisur karrierën si trajner. Megjithatë, sipas dëshmisë së tij, problemet shëndetësore dhe humbja e punës e çuan drejt një vendimi që tashmë e ka përfunduar pas hekurave, ndërsa ndaj tij vijojnë procedurat ligjore në Francë.