Ballina Kronika Shpejtësia ‘fundos’ shoferët në Kavajë, 972 gjoba në një javë, arrestohen 3...

Shpejtësia ‘fundos’ shoferët në Kavajë, 972 gjoba në një javë, arrestohen 3 drejtues mjetesh

62
0

Shpejtësia vijon të mbetet shkelja më e përhapur në rrugët e Kavajës. Vetëm gjatë javës së fundit, Policia Rrugore ka ndëshkuar 972 drejtues mjetesh që qarkullonin mbi normat e lejuara, në kuadër të kontrolleve të shtuara për shkak të fluksit të automjeteve gjatë sezonit veror.

Sipas Policisë së Shtetit, gjatë periudhës 28 korrik – 4 gusht 2026, kontrollet janë zhvilluar në të gjitha akset e qarkut me dronë, radarë dhe makina inteligjente, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.

Nga verifikimet e kryera, 3 drejtues mjetesh janë arrestuar, ndërsa 2 të tjerë janë proceduar penalisht për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Gjithashtu, policia njofton se është arrestuar edhe një shtetas për drejtim të automjetit në efektin e alkoolit.

Bilanci i kontrolleve tregon se në total janë vendosur 1.632 gjoba. Përveç 972 gjobave për shpejtësi, 280 masa janë vendosur për ndalim ose qëndrim të gabuar, 117 për parakalime të gabuara, 98 për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 18 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 17 për përdorim të celularit gjatë drejtimit dhe 175 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore bën me dije se kontrollet do të vijojnë në akset urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha pajisjet logjistike në dispozicion. Njëkohësisht, u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.