Ballina Europë Skandali Epstein rikthehet në Britani, kryeministri Andy Burnham po shqyrton hapjen e...

Skandali Epstein rikthehet në Britani, kryeministri Andy Burnham po shqyrton hapjen e një hetimi publik

66
0

Qeveria britanike po shqyrton mundësinë e hapjes së një hetimi publik mbi aktivitetet në Mbretërinë e Bashkuar të financierit të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

Lajmi u konfirmua nga ministrja për Viktimat, Alex Davies-Jones, në një intervistë për BBC Newsnight.

Sipas saj, kryeministri Andy Burnham ka rënë dakord të takohet me ‘viktimat’ e Epstein dhe po shqyrton hapat që mund të ndërmerren, tashmë që ka akses në të gjithë informacionin si kreu i qeverisë.

Davies-Jones bëri të ditur se në diskutim është edhe mundësia që hetimi të përfshijë pretendimet ndaj ish-pronarit të Harrods, Mohamed Al Fayed, i akuzuar nga dhjetëra gra për abuzime seksuale.

Ministrja, e cila më herët kishte dhënë dorëheqjen nga qeveria duke akuzuar drejtuesit se nuk kishin dëgjuar të mbijetuarit e Epstein, tha se tani ka marrë garanci nga Burnham se çështja do të trajtohet me seriozitet.

Sipas BBC-së, përpara se Burnham të merrte detyrën si kryeministër, aktivistë të Partisë Laburiste i dorëzuan një dokument ku kërkohej ngritja e një hetimi të gjerë publik për aktivitetet e Epstein në Britani, akuzat ndaj Mohamed Al Fayed dhe pretendimet për dhunë seksuale ndaj bashkëpronarit të West Ham, David Sullivan. Ky i fundit i ka mohuar kategorikisht akuzat.

Anouska di Georgiou, një nga të mbijetuarat e Jeffrey Epstein, e mirëpriti mundësinë e një hetimi, por theksoi se viktimat kanë nevojë për veprime konkrete dhe jo vetëm për premtime.

“Ne kemi dëgjuar premtime edhe më parë. Ajo që ka rëndësi tani është veprimi, jo titujt“, u shpreh ajo për BBC Newsnight.