Është ekstraduar nga Kolumbia drejt Shqipërisë Saimir Rosales Rodriguez, i njohur me nofkën “Kimisti”, një nga personat e dënuar në kuadër të dosjes së laboratorit të kokainës në Frakull.
Shtetasi kolumbian ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vuajtjen e një dënimi me 14 vite burg, të dhënë pas hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për laboratorin e përpunimit të kokainës, i zbuluar në Frakull të Fierit.
Sipas autoriteteve, pas zbulimit të laboratorit, Rodriguez u largua nga Shqipëria për t’iu shmangur drejtësisë. Ai u lokalizua dhe u arrestua më pas në Kolumbi, ndërsa në vijim u finalizuan procedurat për ekstradimin e tij drejt vendit tonë.
Rodriguez konsiderohet një nga figurat kryesore të grupit kriminal që dyshohet se kishte rol në funksionimin e laboratorit të drogës.
Pas mbërritjes në Shqipëri, ai do të vuajë dënimin me 14 vite burg, të dhënë nga drejtësia shqiptare.







