Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive.
Në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 47 automjete zjarrfikëse dhe 454 forca operacionale. Në mbështetje janë angazhuar gjithashtu 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë, avioni “Air Tractor” dhe 3 automjete zjarrfikëse të FA-së me personelin përkatës.
Në zonën e Dajtit vijon operacioni nga toka dhe ajri. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në fshatin Priskë, bashkia Tiranë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në fshatrat Riban dhe Ngraçan, bashkia Mallakastër, zjarri po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së forcave nga toka dhe ajri.
Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës, Mjekësit dhe zonës së mbrojtur në malin e Valamarës. Vatrat në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Kostren 2, bashkia Berat, është riaktivizuar vatra e zjarrit dhe forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e saj. Ndërkohë, zjarret në Floq, bashkia Korçë, dhe në Shpërdhet–Drojë, bashkia Kurbin, janë shuar.







