Ballina Politika Nga pushimet në Dhërmi, Rama u shpjegon shqiptarëve se çfarë është “BESA”…...

Nga pushimet në Dhërmi, Rama u shpjegon shqiptarëve se çfarë është “BESA”… por a e besojnë më shqiptarët?

72
0

Nga Dhërmiu, ku po kalon pushimet verore, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’u shpjegojë shqiptarëve kuptimin e dokumentit të ri politik “BESA”, të cilin e prezanton si themelin e një marrëdhënieje të re mes qeverisë dhe qytetarëve.

Sipas Ramës, “BESA” do të thotë Besim, Empati, Shërbim dhe Angazhim. Një akrostik që, sipas tij, duhet të shënojë një mënyrë të re qeverisjeje pas protestave të njohura si “Protesta e Flamingove”.

Por pikërisht këtu lind paradoksi.

Pas më shumë se një dekade në pushtet, është e vështirë të mos shtrohet pyetja nëse problemi i qeverisë ishte mungesa e një dokumenti me katër shkronja, apo mungesa e besimit të qytetarëve. Në fund të fundit, “Besa” nuk është një slogan që shpallet në Facebook. Është një premtim që provohet me veprime.

Nëse “B” është për Besim, atëherë testi nuk është si e shpjegon kryeministri, por sa besim kanë ende qytetarët te qeveria.

Nëse “E” është për Empati – ose, për ta thënë shqip, ndjeshmëri – atëherë kujtesa të çon te dhjetëra protesta, përplasje dhe ankesa qytetare, të cilat shpesh janë pritur me arrogancë ose janë injoruar.

Nëse “S” është për Shërbim, mbetet për t’u parë nëse qytetarët do ta ndjejnë këtë në jetën e përditshme dhe jo vetëm në dokumentet strategjike.

Dhe nëse “A” është për Angazhim, atëherë ai do të matet me transparencën dhe llogaridhënien, jo me akronimet.

Vetë Rama thotë se prova e parë e “BESËS” do të jetë projekti i Zvërnecit, ku brenda 90 ditëve premtohen dëgjesa, publikim dokumentesh dhe një rivlerësim i projektit.

Ndoshta pikërisht aty do të kuptohet nëse “BESA” është një kthesë e vërtetë në marrëdhënien e qeverisë me qytetarët, apo thjesht një emër i ri për një mënyrë të vjetër qeverisjeje.

Sa për “Empatinë”… ndoshta një kryeministër që shpesh jep leksione për shqipen mund të kishte zgjedhur edhe fjalën “ndjeshmëri”. Por kjo mbetet detaji më i vogël në raport me pyetjen shumë më të madhe: a mund të rikthehet besimi me një akrostik?/vna